Bërnabiq sot viziton komunat në veri të Kosovës
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, sot do të realizojë një vizitë në Kosovë, konkretisht në veri të Mitrovicës, në komunën e Leposaviqit.
Së bashku me kryeministren serbe, Kosovën do ta vizitojnë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për vizitën e planifikuar të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në veri të Kosovës. Kurti ka thënë se shpreson që Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse dhe ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq fillimisht do të ndalet në Mitrovicën e Veriut, ku do ta vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës.
Pas kësaj është planifikuar një vizitë në Manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit e Zubin Potokut.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës ka njoftuar se i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.
“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, kanë thënë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.