Bërnabiqi: Masat për Kosovën sa më shpejt para Kuvendit të Serbisë
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të dielën se rregulloret në lidhje me masat për siç ka theksuar “mbështetjen e popullit serb të iniciuara nga presidenti Aleksandër Vuçiq do t’u prezantohen deputetëve sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Na pret shumë punë deri në Vitin e Ri. Është një grup ligjesh jashtëzakonisht i rëndësishëm që duhet të pasqyrojë të gjitha masat ndaj Kosovës, gjegjësisht masat për të mbështetur popullin tonë në Kosovë të iniciuara nga presidenti Vuçiq. Ne do të debatojmë atë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ajo për “RTS”.
Sipas saj, sapo ato ligje dhe vendime të konfirmohen nga parlamenti dhe t’i jepet “drita jeshile” Qeverisë së Serbisë që t’i zbatojë ato masa, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e serbëve në Kosovë, shkruan “Kosovo Online”.
Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, kthimi i serbëve në Policinë e Kosovës dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që pati përmendur presidenti serb Aleksandër Vuçiq më 13 shtator.