Bërnabiqi përcjell mesazhin e Vuçiqit në Mitrovicë: Do të jemi gjithmonë me popullin tonë në Kosovë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq është duke qëndruar në Mitrovicë të Veriut. Nga atje, ajo ka thënë se po përcjellë mesazhin e presidentit serb në mbështetje të serbëve në Kosovë.
Bërnabiqi në takimin me përfaqësues të Listës Serbe, ka thënë se dërgon porosi për paqen, stabilitetin dhe tolerancën.
“Sot dua t’ua përcjellë mesazhin e presidentit Vuçiq, se gjithmonë do të jemi me popullin tonë në Kosovë”, ka thënë Bërnabiqi.
Ndërsa drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se prania e madhe e qytetarëve serbë në pritjen e Bërnabiqi konfirmon emocionet e tyre për ardhjen e saj në veri të Kosovës.
“Populli serb në Kosovë me kënaqësi ka pritur ardhjen tuaj dhe mijëra njerëz të mbledhur këtu vetëm sa konfirmojnë emocionet e tyre për ardhjen tuaj sot në veri të Kosovës”, ka thënë ai.
Qytetarët serbë që kanë dalë ta presin kryeministren e Serbisë e cila po qëndron për një vizitë njëditore në Republikën e Kosovës, po mbajnë pankarta në duar me mbishkrimin “Serbët nga Kosova gjithmonë me shtetin dhe kryeministren e tyre”, “Ne kemi një kryeministre, Ana Bërnabiq” etj.