Bërnabiqi: Pres nga Quinti të mos e përkrah aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se presin nga vendet e Quintit dhe anëtaret e G7-së që të mos e mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).
Ajo në një intervistë për “TV Pink” e ka konsideruar aplikimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare si “kulm të cinizmit”.
“Ata po aplikojnë në një institucion, qëllimi përfundimtar i të cilit është respektimi i të drejtave të njeriut, mbrojtja e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ky është kulmi i cinizmit, jo shkelje e marrëveshjes sepse jemi mësuar me të. Ata tashmë kanë thënë se nuk kanë ndërmend të respektojnë marrëveshjen e Brukselit. Kosova po aplikon në Këshillin e Evropës për ata që kanë anuluar të gjitha të drejtat e serbëve nga Kosova. Unë jam veçanërisht e interesuar të shoh se si do të përgjigjen vendet e Quintit”, ka thënë ajo.
Republika e Kosovës gjatë javës së kaluar ka aplikuar zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Aplikimin në Strasburg të Francës ku e ka selinë KE-ja e ka dorëzuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Deri më 16 mars anëtare fuqiplotë e me fort ndikim ishte Rusia, që u përjashtua pas sulmit ushtarak që i bëri Ukrainës.
Mbi këto fakte Kosova mëton se i ka siguruar 2/3 e votave të nevojshme për votimin final.