Bërnabiqi: Vuçiqi duhet të shkojë në samitin e Tiranës

05 dhjetor 2022 | 11:46

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se presidenti i këtij vendi, Aleksandër Vuçiq nuk ka marrë ende një vendim për të shkuar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që mbahet të martën në Tiranë.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme të shkohet në këtë takim.

“Si qenie njerëzore e kuptoj dilemën që ka Vuçiq”, ka thënë ajo në “TV Pink”, duke shtuar se “shpesh pyet veten se si një person ka nerva, tolerancë dhe durim si Aleksandër Vuçiqi ka që në këtë mënyrë të luftojë dhe të fitojë disa gjëra për Serbinë dhe serbët në Kosovë”.

Një ditë më parë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se Serbia do ta ketë një përfaqësues në samit dhe se sipas tij “Vuçiqi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shkojë sepse ndryshe do të ishte fatkeqësi për Serbinë dhe për të”.

Se nuk do të udhëtojë fare në Shqipëri për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Vuçiqi e ka thënë në shenjë  “kundërshtimi” ndaj emërimit të Nenad Rashiqit në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim gjatë javës së shkuar nga kryeministri Albin Kurti.

Rashiqi është bërë udhëheqës i këtij dikasteri qeveritar pas dorëheqjes së Goran Rakiqit rreth një muaj më parë.

Kreu i shtetit serb ka thënë se edhe BE-ja ka pasur “reagim të butë” ndaj vendimit për emërimin e Rashiqit.

Në mesin e këtyre zhvillimeve, Vuçiqi sot është nikoqir i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë, Serbi, Miroslav Lajçak.

Mediat në Beograd kanë raportuar se pas këtij takimi me zyrtarin evropian, kreu i shtetit serb do të njoftojë se kush do ta përfaqësojë Serbinë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur natën e mbrëmshme episodi i ri i emisionit…