BERZh: Ekonomia e Shqipërisë rritet 8 për qind këtë vit, në 2023-n rikthehet rënia
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) e rishikoi me ulje parashikimin për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë për këtë vit. Në raportin e projeksioneve të vjeshtës, që u publikua sot, BERZH njoftoi se, ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 8% gjatë vitit 2021, nga 4,5 që ishin pritshmëritë në projeksionet në qershor. Për vitin 2022, ekonomia pritet të rritet me 3.5% dhe në vitin 2023 pritet rënie me 0.3%.
BERZH vuri në dukje se ekonomia shqiptare shënoi rritje pozitive për tre tremujorë me radhë, nga tremujori i fundit i 2020 deri në tremujorin e dytë të 2021. Në tremujorin e dytë të 2021, PBB u zgjerua me gati 18% pas një rritje të fortë në tregtinë e brendshme si dhe rritjes së vazhdueshme në industrisë dhe sektorit të ndërtimit. Rritja e konsumit gjithashtu po përfiton nga rritja e remitancave.
Eksportet në 8-mujorin 2021 kanë tejkaluar periudhën e krahasueshme të 2019 me rreth 15% në vlerë nominale, pasi kërkesa e jashtme u rrit për të gjithë sektorët u rrit, përfshirë edhe për produktet e sektorit minerar, të cilat dominojnë shportën e eksporteve me afro 65%. Të ardhurat nga eksportet e shërbimeve ishin gati katër herë më shumë se të ardhurat nga mallrat dhe u rikuperuan fuqishëm, por ende nuk kanë arritur nivelet e 2019, të pakten në gjysmën e parë të vitit.
Pasi shënoi dobësi në 5 muajt e parë të 2021, turizmi u rimëkëmb fuqishëm në stinën e verës, analizoi BERZH. Në qershor-gusht, numri i turistëve të huaj pothuajse barazoi shifrën e para pandemisë. Politikat monetare dhe fiskale mbetën akomoduese për të mbështetur rimëkëmbjen, ndërkohë që presionet inflacioniste mbeten të moderuara dhe niveli i inflacionit është ende nën nivelin e objektivit të bankës qendrore prej 3%. Rindërtimi i lidhur me tërmetet do të vazhdojë të nxisë aktivitetin ekonomik në të ardhmen e afërt i mbështetur nga emetimi i Eurobondit planifikuar deri në fund të vitit 2021.
Ana Kreshiq, Ekonomiste Rajonale e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, tha: “Ndërsa shenjat e rimëkëmbjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor kanë qenë të forta deri më tani, mbeten pasiguri të konsiderueshme, veçanërisht ato që lidhen me rrugën e ardhshme të pandemisë dhe përkeqësimin e mundshëm të kushtet e jashtme”.
Ekonomitë në të gjithë rajonet e BERZH pritet të rriten me 5.5% këtë vit. Ndërsa ky është një rishikim në rritje prej 1.3 pikë përqindjeje nga parashikimi i qershorit, pas një ecurie të fortë në gjysmën e parë të vitit, Banka paralajmëron gjithashtu për rreziqet në vazhdim.
Kryeekonomistja e BERZH-it Beata Javorcik tha: “Ky është një rikuperim i hidhur. Gjysma e parë e 2021 solli një rikthim të fuqishëm. Por tani po shohim arsye në rritje për shqetësim. Ndërsa nga çmimet e larta të mallrave po përfitojnë eksportuesit, ato rëndojnë rëndë bilancet tregtare të importuesve. Furnizimi me energji ndërsa hyjmë në periudhën e dimrit po bëhet një shqetësim serioz, veçanërisht pasi hapësirat e qeverive janë të kufizuara.”
Dobësitë fiskale janë rritur pasi qeveritë kanë vendosur paketa të mëdha stimuluese në përgjigje të krizës Covid-19. Borxhi publik në rajonet e BERZH-it u rrit mesatarisht me 13 pikë përqindjeje të PBB-së që nga fundi i 2019. Ndërsa kostot e huamarrjes mbeten nën nivelet e para krizës në shumicën e ekonomive, ato janë rritur ndjeshëm në disa vende.