BERZh-i lanson projektin në vlerë 8.5 milionë euro
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka lansuar të martën programin e ri në Kosovë të quajtur “Mekanizmi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër” (Green Economy Financing Facility – GEFF), i cili ka për qëllim dhënien e kredive për amvisëritë në rritjen e efiçencës së energjisë.
Linjat kreditore në vlerën prej 8.5 milionë euro janë nënshkruar me tri institucione vendore financiare: “Banka TEB” në Kosovë, institucionet mikro-financiare Kreditimi Rural i Kosovës (KrK) dhe Agjencia për Financim në Kosovë (AFK).
Në konferencën për medie në Prishtinë janë mbledhur së bashku palët e interesit në GEFF, duke përfshirë donatorët, zyrtarët shtetërorë, institucionet financiare partnere, furnizuesit dhe prodhuesit e teknologjive të gjelbra për sektorin e banimit.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se përmes këtij projekti do të përmirësohet edhe siguria e energjisë.
Apostolova ka apeluar te Qeveria e Kosovës që ta përshtatë legjislacionin e energjisë me atë të BE-së.
“Efiçienca e energjisë përmirëson sigurinë e energjisë dhe në të njëjtën kohë ul emetimet. Kjo është arsyeja pse BE-ja ka prioritet këtë çështje. Ndërtesat në vend tani do të kenë certifikatë të energjisë. Dizajni i secilit objekt duhet të jetë në harmoni me standardet evropiane të kursimit të energjisë”, ka thënë Apostolova.
Anca Ioana Ionescu, udhëheqëse e Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), ka thënë se ky projekt do t’u mundësojë qytetarëve të kursejnë më shumë energji.
Ndërsa zëvendëskryeshefi i “TEB Bankës”, Dren Krypa, ka thënë se fondi i investimeve do të jetë në vlerë 5 milionë euro, sipas tij prej kësaj shume 15 deri në 20 për qind do të jenë kthim në formë granti.
“Ky bashkëpunim i rëndësishëm ndërmjet dy institucioneve ka shënuar sukses, me ç’rast ka sjell kthimin e kredisë së gjelbër e cila besojmë se do të jetë një produkt i favorizuar bankar për klientët të cilët duan të bëjnë investime në rritjen e efiçiencës së kursimit të energjisë”, është shprehur Krypa.
Valdet Anadolli nga Institucioni Mikrofinanciar “AFK” ka bërë me dije se roli i institucioneve mikrofinanciare është mjaftë i rëndësishëm, për faktin që sipas tij janë dhënë mbi 3 milionë euro për projektin e efiçiencës së energjisë elektrike.
GEFF në Kosovë implementohet në kuadër të Programit Rajonal për Efiçencën e Energjisë për Ballkanin Perëndimor (Regional Energy Efficiency Programme – REEP), që financohet nga BE-ja dhe implementohet në bashkëpunim me Sekretarinë e Komunitetit të Energjisë.
Në total programi REEP do të përfitojë nga 135 milionë euro për investime në sektorin rezidencial, mbështetur nga 30 milionë euro financim nga BE-ja, 1.8 milion euro nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe 3.3 milionë euro nga Ministria Federale e Financave e Austrisë.
Modeli i BERZH-it për efiçencë të energjisë është duke operuar në Kosovë që nga viti 2011 në kuadër të Projektit për Energji të Qëndrueshme në Kosovë (KoSEP).