Besa, afër titullit në hendboll
Besa FamGas ka bërë hapin e parë drejt mbrojtjes së titullit të kampionit të Kosovës në hendboll. Në ndeshjen e parë finale të “play-off”-it, Besa FamGas fitoi bindshëm ndaj Prishtinës (37:23).
Ekipi vendas ka dominuar prej fillimit të ndeshjes dhe ka shkuar duke e rritur epërsinë deri në fund. Pas pjesës së parë rezultati ishte 18:11 në të mirë të ekipit pejan. Më efikaset ishin Kastriot Jupa e Drilon Tahirukaj me nga shtatë gola. Te Prishtina më së shumti realizoi Deniz Terziqi, 12 gola. Ndeshja e dytë e finales së “play-off”-it luhet në fundjavë në Prishtinë. Besës i duhet edhe një fitore apo edhe një barazim për të siguruar titullin. Ndërkohë nëse rezultati barazohet në 1:1 atëherë ndeshja e tretë do të luhet në Pejë. Besa e ka përparësinë e terrenit vendas në ndeshjen e tretë eventuale, për shkak se në kampionat përfundoi më lart se Prishtina. Besa ishte e para kurse Prishtina e dyta.