Besa bëhet me sponsorë të fuqishëm

14 gusht 2019 | 11:11

Ligji për Sponsporizim në fushën e sportit ka filluar t’i sjellë frytet e para. Pas disa klubeve të futbollit, edhe Besa e Pejës brenda javës do të bëhet me sponsorë të rinj. Pritet që me mbështetjen e ELKOS Group dhe Korporatës “Dukagjini”, Besa të rikthejë lavdinë e dikurshme në futbollin pejan.

Skuadra e Besës së Pejës në fund të muajit të kaluar kishte paralajmëruar se është afër marrëveshjes me ELKOS Group dhe Korporatën “Dukagjini”.

Klubi pejan nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare kishte njoftuar se është afër finalizimit të marrëveshjes me dy kompanitë e mëdha pejane, kurse këtë javë do të bëhet edhe zyrtarizimi. “Jemi pranë finalizimit te marrëveshjeve me dy kompani të mëdha dhe serioze si ELKOS Group dhe Korporata ‘Dukagjini’. Me inkuadrimin e këtyre dy gjiganteve financiarë, ne si FC Besa jemi të sigurt se lavdia e dikurshme dhe mbizotërimi i FC Besa në futbollin kosovar është e sigurt”, thuhej në njoftimin e Besës.

“Marrëveshja është arritur dhe gjatë kësaj jave pritet të vijë konfirmimi për lejimin e sponzorizimit të klubit nga dy kompanitë gjigante siç janë ELKOS Group dhe Korporata ‘Dukagjini’. Besa do të jetë një skuadër serioze në Ligën e Parë dhe pretendentja kryesore për inkuadrim në IPKO Superligë”, ka thënë një burim i gazetës brenda klubit. Tri herë kampionia e Kosovës në futboll në edicionin e ri futbollistik do të drejtohet nga trajneri Miftar Rama. Nën drejtimin e Ramës klubi pejan është duke zhvilluar stërvitje intensive për edicionin e ri. Deri tash i vetmi futbollist që zyrtarisht është larguar nga Besa e që ishte pjesë e saj në edicionin 2018/2019 është Liridon Balaj. Talenti i ri pejan është transferuar në skuadrën e FC Aarau në Zvicër.

Besa e rikthen Durakun

Skuadra e Besës ka filluar përforcimet për edicionin 2019/2020. Pas transferimit të veteranit Dugagjin Gashi, kjo skuadër ka arritur marrëveshje edhe me mesfushorin tjetër veteran Mensur Duraku. Arritjen e marrëveshjes për gazetë e ka bërë me dije vetë futbollisti Duraku, i cili ka qenë pjesë e klubit pejan edhe në të kaluarën. “Tash e tutje jam futbollist i Besës, kurse marrëveshja është njëvjeçare. Shpresoj ta ndihmoj klubin e zëmrës të rikthehet aty ku e ka vendin, në Superligë. Aktualisht pjesë e Besës janë edhe disa lojtarë cilësorë dhe në ditët e ardhshme priten edhe përforcime të tjera”, ka thënë Duraku.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër subjektet e mëdha politike kanë shprehur ambiciet e tyre…