Besa bie nga Superliga, por zbulohet një yll futbolli

09 maj 2018 | 18:59

Liridon Balaj është ylli i ri i futbollit pejan që shkëlqen në fanellën e Besës, ani pse kjo e fundit ka befasuar të gjithë për të keq, duke rënë nga Vala Superliga. Balaj shumë shpejt mund të bëhet emër i madh në futbollin e Kosovës si Fisnik Papuqi e Fetim Kasapi, pse jo të bëjë karrierë edhe jashtë vendit sikurse Bernard Berisha dhe Fatos Beqiraj.

KF Besa ka tejkaluar për të keq parashikimet në këtë edicion, pasi për herë të parë në histori të vet ka rënë nga Superliga e Kosovës në futboll. Megjithatë, edicioni 20/17/2018 mund të mbahet mend gjatë në futbollin pejan, sepse është zbuluar edhe një yll i futbollit. Bëhet fjalë për Liridon Balajn, i cili fillimisht është ftuar në ekipin e parë nga trajneri Valdet Shoshi e në ndeshjet e fundit e ka fituar edhe vendin e titullarit.

Sikurse Balaj, paraqitje të mira në këtë kohë të “zezë” për Besën patën edhe disa lojtarë të tjerë të rinj që shumë shpejt pritet të shpërthejnë në futbollin e Kosovës. “Kam filluar të luaj futboll në moshën 10-vjeçare në akademinë e klubit të Besës, kurse tash më është dhënë rasti të luaj në ekipin e parë. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Balaj, i cili më pas ka treguar se për të ka qenë ëndërr stërvitja dhe zhvillimi i ndeshjeve me Fetim Kasapin, i cili është kapiten aktual i Besës dhe një nga lojtarët më të pëlqyer në Pejë prej përfundimit të luftës. “Karriera e Kasapit është mjaft e pasur dhe për mua ka qenë një ëndërr të punoj me të. E falënderoj shumë për mbështetjen e vazhdueshme që ma ka dhënë. Përveç Kasapit, një model i mirë për lojtarët në Pejë është edhe Haxhi Zeka, i cili ka dhënë shumë për futbollin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Futbollisti i ri nuk ka kontratë me Besën dhe në afatin kalimtar të verës mund të largohet, pasi ekipi pejan në edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë. “Ende nuk kam vendosur por, me gjasë, do të largohem. Ta presim përfundimin edhe të dy xhirove të këtij kampionati, më pas do ta marr vendimin për të ardhmen”, ka deklaruar ai.

Në fund, Liridon Balaj ka shprehur keqardhje që një klub me traditë të madhe siç është Besa të bjerë nga elita e futbollit. “Është mëkat i madh që Besa të bjerë në Ligën e Parë. Nuk është dashur të vijë puna deri këtu, pasi Besa është klubi më i madh në vend”, ka përfunduar Balaj, i cili është pjesë edhe e Përfaqësueses U19.

(Veton ZYMBERI)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnik Tahiri Dita e Evropës është simbolikë e popujve të…