Besa dhe Istogu fituese të Superkupës

17 shtator 2023 | 17:00

Besa Famgas është fituese e Superkupës së Kosovës në hendboll për herë të dytë rresht. Kështu ekipi pejan ka shtuar edhe një trofe në koleksionin e pasur.

Besa në ndeshjen për Superkupë e mposhti Trepçën me rezultat 36:28. Ndeshja u zhvillua të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë para një numri të madh shikuesish. Besa ishte vazhdimisht para për disa gola. Trepça megjithatë kërkoi barazimin deri në fund dhe kështu ndeshja ishte e fortë dhe cilësore.

Trofeun e Superkupës e dorëzoi presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini. Medaljet për ekipin pejan i dorëzuan presidenti Saraçini dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza. Ndërsa KHF Istogu e ka fituar Superkupën e Kosovës për herë të dytë. Në ndeshjen shumë të fortë, të shtunën mbrëma në Mitrovicë, Istogu e mposhti Ferizajn me rezultat 31:27.

Istogaset ishin kohë të gjatë në epërsi, por ferizajaset nuk janë dorëzuar deri në fund. Ndeshja ishte me ritëm të lartë, ndërsa shikuesit panë aksione e gola të bukur. Kapitenes së Istogut, Albina Rugova, trofeun e Superkupës ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini. Medaljet i ndanë presidenti Saraçini dhe anëtari i bordit të FHK-së, Bujar Istrefi. Istogu ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar. Ka fituar trofeun e tretë të vitit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
15-vjeçarja Rahmone Jusufi, është shpallur e zhdukur që nga 11…