Besa dhe Prishtina, në kërkim të suksesit në Kupën Evropiane
Kampionia në fuqi e Kosovës, Besa Famgas, kërkon sot (e shtunë) fitoren e dytë dhe kualifikimin më tutje në Kupën Evropiane të Hendbollit, kurse Prishtina sot kërkon fitoren e parë në rrethin e tretë të kësaj garë kundër AEK-ut.
Dy klubet e hendbollit të Kosovës, Besa Famgas dhe Prishtina, sot (e shtunë) kërkojnë suksesin në rrethin e tretë të Kupës Evropiane. Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, luan ndaj Boracit në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë, kurse ndeshjen e parë klubi nga qyteti i Pejës fitoi me rezultat 24:22. Synimi i Besës është kalimi në raundin tjetër, por për të arritur një gjë e tillë i duhet një paraqitje shumë e mirë për faktin se kundërshtari ka një skuadër cilësore. “Atmosfera është e shkëlqyeshme dhe djemtë tanë udhëtojnë me synim për ta mbrojtur fitoren nga ndeshja e parë. Të vendosur për hapin e radhës në Evropë, për ta rritur emrin e Pejës dhe Besa Famgasit”, thuhet në njoftimin e Besës.
Ndërsa skuadra e Prishtinës është e gatshme për ndeshjen e parë kundër skuadrës greke, AEK-un, e cila zhvillohet në Athinë. Ndeshjen e parë kryeqytetasit e Kosovës e zhvillojnë të shtunën, kurse të dielën e zhvillon ndeshjen e dytë. “AEK-u është ekip shumë i fortë. Ka në përbërje katër lojtarë të Spanjës, një kroat, një serb, një austriak, një brazilian dhe shumë lojtarë kualitativë vendorë. Ekipi ynë është me 100 për qind vendorë. AEK-u është favorit, por do ta japim maksimumin”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi.
Prishtina për këto dy ndeshje është përforcuar me Arbër Currin e Vëllaznimit si dhe Festim Mustafën e Arben Dugollin të Kastriotit.
(Epoka e re)