Besa e “Besës” / Bashkëshortja e Xhemajl Fetahaj në një rrëfim ndryshe për heroin
Nga Mimoza Kelmendi/Shtutgart
Nëse Kosova sot është e lirë, është falë njerëzve guximtarë si Xhemajl Fetahaj. Njerëz që vështronin përtej vetvetes për fatin e vendit. I tillë ishte Xhemajl Fetahaj, i cili e jetoi vrullshëm jetën me bindjen se liria e Kosovës mund të vinte vetëm me luftë. Në një bisedë me bashkëshorten e heroit në shtëpinë e saj, Besa Fetahaj tregon se si Xhema, siç ajo dhe shumë të tjerë e quanin, nuk tundohej nga asgjë për të hequr dorë nga liria e Kosovës. Ai pranoi faktin se djali i tij mund të rritej jetim, por fëmijët e djalit të tij do të jetonin në Kosovën e lirë.
Në luftën e lavdishme të UÇK-së, Xhemajl Fetahaj ka udhëhequr dhjetëra beteja e aksione kundër forcave serbe. Ka qenë anëtar i Shtabit të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit, përgjegjës për sektorin e zbulim kundër zbulimit, zëvendëskomandant i Trupave Komando DELTA etj.
Mes kujtimesh të çmuara, pas më shumë se dy dekada nga vrasja e tij, duket sikur dhimbja i ka lënë Besa Fetahajt më shumë hapësirë krenarisë dhe ndjenjës së përmbushjes në misionin e rritjes së dy fëmijëve në Gjermani.
Besa, të kujtohet kur ka qenë takimi i parë me Xhemën apo Xhemajlin?
Kanë kaluar vite nga takimi me Xhemën (ata që e njihnin kështu e quanin) dhe është një histori e gjatë, por datën e takimit nuk e harroj kurrë. Jemi takuar në rrethana të ndryshme të asaj kohe, por takimi i parë ka qenë 2 nëntor 1989, në Prizren.
E dinit kush ishte përveç se një djalë i pashëm që të kishte rrëmbyer zemrën?
Jo nuk e dija, thjesht dija që ishte ilegal, por më shumë nuk dija për personalitetin e tij deri në atë pikë.
A të fliste ai për veten e tij apo arrite ta njohësh vetë?
Ka qenë shumë modest, fliste shumë pak, por nga miqtë e tij kam kuptuar se kush ishte vërtetë.
Më pas Xhemajli erdhi në Gjermani dhe u shkëputët për një farë kohe. Por çfarë na tregoni për atë kohë, pse iku në Gjermani?
Ai ishte ish i burgosur politik dhe i vinte shumë keq që duhej të largohej nga atdheu siç thoshte edhe vetë. Ai është përpjekur me çdo rrethanë që të mos largohej nga atdheu, por ishte i detyruar.
Çfarë do të thotë për një vajzë kosovare, dashuria për dikë që bënte një jetë të tillë në ilegalitet dhe a flisnit pë luftë në atë kohë?
Ne ishim edukuar në atë kohë me idenë e luftës, në anën tjetër isha dashuruar me një aktivist, një trim, guximtar dhe isha e vetëdijshme se në cilin drejtim do shkojë e ardhmja jonë. Megjithatë njeriu shpreson që edhe në ato rrethana mund të jetojë dhe krijojë një familje dhe të jap kontribut.
Më pas erdhët edhe ju në Gjermani, u bashkuat dhe me sa mbaj mend lindi më vonë djali?
Po, kur erdhi djali në jetë ishim shumë të lumtur dhe ishte një gëzim shumë i madh.
Ndërkohë Kosova po kalonte shumë probleme në atë kohë?
Po. Xhema ishte shumë aktiv në atë kohë dhe përpiqej të merrej me aktivitetet e tij që i kishte në plan të parë, por edhe neve nuk na linte kurrë pas dore. Është munduar të bëjë një balancë të mirë, është përpjekur të na e pasurojë jetën me momente të bukura.
Për Xhemajlin të gjithë flasin si një njeri shumë i vendosur. Por si e ke përjetuar ti momentin e themelimit të UÇK-së?
Për njerëzit aktivistë, UÇK-ja ishte e vetmja shpresë për çlirimin e Kosovës. Që kur ishim njohur me Xhemën ai e dinte shumë mirë se lufta ishte e vetmja rrugë. Ai thonte shpesh: Besë, kush e do vdekjen, por me serbët nuk ka rrugë tjetër përveçse luftës. Unë nuk e besoja dhe mendoja se do të plakesha me idenë që do bëhet luftë, por në fakt lufta filloi. Unë në atë kohë isha shtatzënë. Në gjysmën e dytë të vitit 1997, Xhema ka qenë shumë i zënë me aktivistët e tjerë, pasi ato kohë kanë qenë kulmimi i çdo veprimi, i çdo ngjarjeje.
Po e vërtetë. Më pas si vijuan ngjarjet, pati disa organizime?
Në vitin 1998 Xhema kohën më të gjatë e ka kaluar në Shqipëri, me disa udhëtime shkurt në Kosovë. Kur flisnim më thoshte se ndihej shumë krenar se po bënte diçka për vendin e tij. Ndihej shumë i lumtur që pas shumë vitesh u kthye për të puthur tokën e Kosovës. Pjesën më të madhe të kohës e kalonin në Tropojë. Kur iku më tha: “Kjo ikje është ndryshe nga të tjerat për ne, por duhet të përgatitesh”. Për mua ka qenë moment shumë i vështirë. Ai u nis në front dhe më tha se nëse Arjani rritet pa mua, kur të rritet do ta kuptoj arsyen time. “Më mirë të rritet Arjani pa mua, se sa fëmijë e Arjanit pa të”, kështu më tha.
Kur keni folur për herë të fundit me Xhemën?
Për herë të fundit kam folur më 30 maj 1999 dhe isha shumë më e përmalluar se ditët e tjera. Çdo bisedë kur e përfundoja pyesja veten nëse do kem fat t’ia dëgjoj sërish zërin, sepse ishte në luftë. Edhe ai vetë thonte se gjithçka merre si fat, edhe nëse bie në luftë. Gjithmonë kishte besim tek forca ime. Sot shumë më pyesin se pse nuk e ke ndaluar, por kushdo që do ishte në vendin tim, do të do të vepronte si unë. Ai i argumentonte të gjitha ato që thoshte.
Më pas erdhi dita e kobshme….pak ditë para çlirimit të Kosovës…
Më 31 maj kam tentuar ta marr në telefon, sepse tek TVSH-ja pash disa ngjarje dhe plagosje dhe ndjeva një ankth dhe pasiguri. Provova ta marr direkt në telefon, por nuk u përgjigj. Kisha një ndjesi të keqe, por i jepja forcë vetes, deri ditën e enjte që ndodhi konfirmimi që ka rënë në betejë. E mora guximin vetë dhe i kërkova ushtarëve të tjerë të mos ndërhyjnë për të marrë trupin, sepse rrezikoheshin. Kisha shumë merak që nëse ndodhte diçka të isha e informuar. Më pas shkova nga Gjermania për në Durrës për të udhëtuar më tej për në Kosovë. Për mua ato ditë ishin shumë dramatike, pasi isha në ditët e mia për të lindur. Ndërkohë mendoja që trupi i tij kishte mbetur atje ku e kapën plumbat vdekjeprurës. Varrimi tij është bërë vonë, pas 15 ditësh. Më 15 qershor u arrit tërheqja e trupave, pasi me datë 10 vendi ishte i çliruar dhe më 16 qershor ai u varros bashkë me shokët në Koshare.
Gjithsesi trupi u tërhoq dhe u varros me të gjitha nderet dhe pak ditë pas varrimit të heroit tonë, erdhi në jetë vajza e tij. Pra më 30 qershor lindi Erëza. Por çfarë ndodhi me djalin, Arjanin?
Arjani ka qenë shumë i lidhur me babain, të dy ishim shumë të lidhur, ndoshta e dinim që do të ishim bashkë për një kohë jo shumë të gjatë. Edhe djali ishte shumë i lidhur, edhe në telefon një minutë kohë që kishim i ndanim së bashku unë dhe djali. Arjani ishte 3 vjeç, por shpesh mërzitej se pse babai largohej shpejt. Më pas e kisha shumë të vështirë t’ia shpjegoja mungesën e tij për një kohë të gjatë. Djali ishte mësuar të fliste në telefon me të atin dhe shpesh e merrte telefonin në dorë duke pritur …pastaj mërzitej që babi nuk i telefononte.
E vështirë shumë… por kur erdhi momenti që i tregova fëmijëvehistorinë, apo të vërtetën për babain e tyre?
Arjanit i kam treguar çdo ditë nga pak, ndërsa me Erzën ishte pak më ndryshe. Mundohesha çdo ditë t’i tregoja nga pak se pse babai i tyre nuk ishte mes nesh. Djali dëgjonte dhe nga fëmijë të tjerë e më pas mërzitej. Edhe në momentin e rivarrimit në gusht të Xhemajlit, Arjani mori pjesë dhe ishte një ditë e vështirë për të. Më kujtohet se si u shkonte të gjithë ushtarëve të UÇK-së nga pas dhe kërkonte babain e tij.
Tashmë kanë kaluar 22 vite dhe fëmijët janë vetë në gjendje të gjykojnë gjithçka. Ju Besa çfarë do veçonit nga Xhema për aq kohë sa njiheshit e kaluat bashkë si bashkëshortë?
Ishte njeri shumë i dashur, shumë i afërt me të gjithë. Ishte guximtar, i prerë, me një qëndrim të veçantë. Ishte njeri me vizion. Ishte shumë familjar.
Thonë se pas një burri të fortë qëndron një grua e fortë. Them këtë nisur nga fakti se ti që në fillim je ushqyer me vendimet e tij, por edhe nuk ja ke vështirësuar rrugën. Përkundrazi, vetë Besa madje e ka ndihmuar për ta realizuar këtë rrugë apo?
Po është e vërtetë që e kam ndihmuar, sepse ai të bindte me shumë pak fjalë, dhe unë nuk jam përpjekur asnjëherë për t’ia bërë më të vështirë. E kam kuptuar shumë shpejt se me kë kam të bëjë dhe e dija që nuk mund ta ndryshoja, tek ai ishte shumë i madh besimi se lufta është e vetmja rrugë.
Xhemajli është vlerësuar me çmime të shumta, janë bërë libra, dokumentarë. Sa kanë ndikuar tek ju dhe fëmijët këto aspekte në vlerësimin e figurës tij?
Unë si Besë nuk e kam pasur vështirë dhe i thoja vetes se nëse njerëzit do e njihnin si unë, Xhema do të kishte pasur një vend shumë më të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Edhe babai i tij ka rënë për lirinë e Kosovës. Si e kam njohur unë, edhe nëse askush nuk do të fliste për të, mua nuk do të më zbehej kurrë krenaria për Xhemajl Fetahaj, aspak.
Kur Xhemajli iku në front, ai ishte i vetëdijshëm se po linte pas bashkëshorten dhe dy trashëgimtarë. Ju morët misionin për të qenë vetë nënë dhe baba, si ka qenë kjo periudhë?
Dhimbja më shoqëronte në çdo çast, por edhe krenaria ishte e pranishme. Jam munduar që fëmijëve mos t’i mungojë asnjëherë prezenca ime, çdo fundjavë flisja me fëmijët e mi, i tregoja historitë tona të asaj kohe dhe ata kënaqeshin shumë nga këto histori. Fizikisht ai ka munguar, por jam përpjekur që me orë të gjata t’ju flas për të atin duke bërë që prezenca e tij të jetë e pranishme nëpërmjet rrëfimeve të mia.
E dinte Xhemajli që fëmija i dytë është vajzë?
Jo nuk e dinte të sigurt, sepse në vizitat që bënim, mjeku nuk na tregonte. Kur bisedonim për emrin e vajzës, ai më thonte që do kemi kohë, sepse do të vij unë në ditët kur ajo të lindë.
Besoj, se edhe ai si çdo prind donte që fëmijët të shkolloheshin. Sa e ke realizuar këtë dëshirë?
Kanë qenë fëmijë të mbarë dhe mua dashuria për Xhemën më dha forcë që fëmijët e mi të kishin një fëmijëri të lumtur dhe të qetë. Shpesh i them fëmijëve që edhe nëse do të kisha bërë ndonjë përshkrim për ju, nuk do e kisha shkruar kaq perfekt sa jeni bërë ju sot. Ndihem shumë e përmbushur nga dashuria e tyre, më kanë bërë shok dhe në çdo çast jam e lumtur që i kam.
Faleminderit Besa për këtë bisedë kaq të sinqertë. Xhema atje ku është, fëmijët e tu, gjithë familja jote dhe e Xhemajlit, por edhe ne që jemi miq prej 30 vjetësh, krenohemi me ty.