
Besa Famgas e fiton bindshëm derbin me Kastriotin
Besa Famgas e ka fituar ndeshjen e parë të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën mbrëma në Banjë, Besa Famgas e mposhti Kastriotin e Ferizajt në derbin e xhiros me rezultat 40:28.
Pjesa e parë ishte më e fortë. Deri në minutën e 20-të loja ishte e barabartë. Pas rezultatit 8:8, nisi shkëputja e vendasve. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:12 për ekipin pejan.
Në pjesën e dytë Besa shfaqi shumë më tepër, për fitore bindëse në fund.
Olsi Mulaj, Jon Vokshi e Vladimir Stankoviq ishin më efikasët te Besa me nga tetë gola. Nëntë gola për Kastriotin i kishte Deniz Terziqi, ndërsa shtatë Yassine Henahem.
Besa Famgas tani është e dyta me 26 pikë nga 17 ndeshje. Kastrioti renditet i treti me 24 pikë nga 16 ndeshje.
Ndeshja u zhvillua në Banjë të Pejës për shkak se palestra në Pejë është e zënë me numërim të votave.
Tri ndeshjet tjera të xhiros së 17-të janë të dielën.