Besa Famgas e Istogu, skuadrat dominante në Superkupë
Në shkurtin e vitit të kaluar u vendos që për herë të parë të organizohet gara për Superkupën e Kosovës në hendboll. Për Superkupë tradicionalisht luajnë kampioni dhe fituesi i Kupës.
Superkupa e Kosovës në hendboll për herë të parë u organizua në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Te hendbollistët, Superkupën e parë e fitoi Besa Famgas që e mposhti Kastriotin e Ferizajt me rezultat 36:29. Te hendbollistet, Superkupa e parë i takoi Istogut. Skuadra istogase kishte fituar ndaj Ferizajt me rezultat 33:17.
Ndeshjet e para të Superkupës ishin luajtur në Istog. Në shtator të vitit të kaluar Superkupa u organizua për herë të dytë, në Mitrovicë. Kjo ndodhi pas vendimit që Superkupa të zhvillohet në prag të edicionit të ri të garave.
Besa Famgas sërish e fitoi Superkupën, duke mposhtur Trepçën me rezultat 36:28. Te hendbollistet, fitues ishte Istogu që mposhti Ferizajn me rezultat 31:27.
Te hendbollistët, Superkupa do të ketë fitues tjetër. Të shtunën në Rahovec takohen Rahoveci e Kastrioti. Rahoveci është kampion, ndërsa Kastrioti fitues i Kupës. Te hendbollistet sërish përballen Istogu dhe Ferizaj. Istogu është kampion, kurse Ferizaj fitues i Kupës.
Ky edicion i Superkupës i kushtohet të ndjerit Izet Gjinovcit, që për mbi dy dekada ishte sekretar i përgjithshëm i FHK-së. Gjinovci ndërroi jetë më 5 gusht, ndërsa ia kushtoi thuajse gjithë jetën hendbollit.