Besa Famgas fiton në Mitrovicë
Besa Famgas e ka fituar derbin e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovcë, Besa e mposhti Trepçën me rezultat 34:30.
Ndeshja ishte e fortë. Vendasit startuan fuqishëm dhe në pjesën e parë ishin vazhdimisht në epërsi. Por në pjesën e dytë pejanët shfaqën më shumë. Për herë të parë kaluan në epërsi në minutën e 44-t dhe më pas mbajtën epërsinë deri në fund.
Por ndeshja nuk kishte fund normal. Me të përfunduar takimi, në fushën e lojës kanë hyrë persona të paautorizuar. Dy prej tyre kanë realizuar sulm fizik ndaj arbitrave të lojës. Dyshohet që bëhet fjalë për ish-hendbollistë dhe kjo e bënë më të papranueshme ngjarjen. Federata e Hendbollit e Kosovës e dënon fuqishëm dhunën e shfaqur, ndërsa organet e Federatës gjatë javës së ardhshme do të marrin vendimet meritore lidhur me atë që ndodhi.
Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 26-të. Rahoveci fitoi 35:25 ndaj Vushtrrisë, ndërsa Prishtina e mposhti Vëllaznimin (61:38).