Besa Gaxherri kërkon reflektim dhe reforma pa improvizime në LDK

18 shkurt 2021 | 11:37

Kandidatja për deputet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri, përmes një shkrimi të titulluar: “Reflektim dhe reforma pa improvizime”, ajo ka falënderuar veprimtarët, simpatizantët dhe votuesit e kësaj partie për mbështetjen që i kanë dhënë në vazhdimësi.

“Pas rezultatit të 14 shkurtit, janë ditët më të rënda për të gjithë neve, por pikërisht këto ditë duhet të jenë reflektim dhe assesi improvizim të gjendjes në parti. Dorëheqjet e vonuara duhet të kompensohen me punë, reformë e përgjegjësi. LDK-ja ka shumë profile e personalitete që ia kthejnë besimin e vlerën LDK-së por ata persona nuk duhet të pranojnë që përmes improvizimeve të ‘sanojnë’ gjendjen, andaj ata që shkaktuan këtë termet në LDK duhet të rrinë larg procesit të reformave. Koha është që njerëzit të cilët e shohin partin si aset kombëtar të mblidhen dhe të ofrojnë platformë e reformë rrënjësore”, ka shkruar Gaxherri në llogarinë e saj në “Facebook”.

Ajo ka shtuar se shtëpia nuk mbahet pa njerëzit të cilët e ndërtuan atë dhe pa ata të cilët e vlerësojnë dhe e mirëmbajnë partinë si shtëpinë e vetme të tyre.

Gaxherri ka theksuar se LDK-ja është aseti politik më i rëndësishëm në Kosovë. “..andaj ne kemi obligim t’ia kthejmë forcën dhe shkëlqimin urgjentisht”, është shprehur ajo.

“Unë personalisht, nga të paktët kolegë kam përdorur metodën e vërejtjes dhe kritikës brenda organeve të partisë, duke u ballafaquar drejtpërdrejtë me problemin dhe përgjegjësinë e lidershipit, por jashtë shtëpisë gjithmonë e kam mbrojtur këtë shtëpi. Fatkeqësisht jam keqkuptuar dhe jam penalizuar, duke me konsideruar të papërshtatshme për bashkëpunim, prandaj nuk kam qenë anëtare e Kryesisë e as pjesë e qeverive, ndërsa nga jashtë ka mundur të kuptohet se po i mbrojë veprimet e këtij lidershipi. Sugjerimi im është pikërisht ky. Çështjet duhet të diskutohen brenda, pa servilizëm, pa improvizime, me maturi e transparencë e kur të kthehen në vendime, nga jashtë të jemi të unifikuar e të bashkuar”, ka deklaruar Gaxherri.

Sipas saj, LDK-ja do të fillojë një rrugëtim të ri, me njerëzit që e duan atë dhe Kosovën.

“Me njerëz të devotshëm që janë të gatshëm të japin më të mirën nga vetja për të mirën e të gjithëve. Kjo është e mundur dhe këtë do ta bëjmë. Ia kemi borxh Kosovës, themeluesve të LDK-së dhe gjeneratave që vijnë”, ka thënë ish-deputetja Besa Gaxherri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylian Mappe është një nga lojtarët më të mirë në…