
Besa Ismaili: Intervenimit të NATO-s i parapriu UÇK-ja që bëri luftë të lavdishme kundrejt terrorit të Serbisë
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili, ka kujtuar intervenimin e NATO-s në Kosovë, i cili 26 vjet më parë i ka dhënë fund gjenocidit serb ndaj shqiptareve.
Ajo ka thënë se intervenimit i NATO-s, i ka paraprirë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me tërë kapacitetet, “ku shënoi një rezistencë dhe luftë të lavdishme kundrejt terrorit të Serbisë”.
“NATO, faleminderit! Aksionet bombarduese të NATO-s ishin veprimi i fundit, por kulmor ndaj shtetit agresor serb, që me aparaturat e shumta ushtarake kreu masakra të papara dhe shpërnguli më shumë se 1 milion shqiptarë nga pronat dhe vendbanimet e tyre në Kosovë. Këtij intervenimi, i parapriu Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), me tërë kapacitetet, ku shënoi një rezistencë dhe luftë të lavdishme kundrejt terrorit të Serbisë. Gjithsej 78 ditë fushatë bombarduese dhe afro 40.000 sulme! Mirënjohëse përherë për të gjitha vendet qe morën pjesë në fushatë bombarduese, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës si udhëheqëse e bombardimeve dhe pjesëmarrëse me mbi 60% e të të gjitha sulmeve! #24Mars1999”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.