
Besa Ismaili për vizitën e Thaçit të varri i babait: Prindit i vjen lutja plot zjarr dhe mall e të birit
Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Ismaili, ka komentuar vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi tek varri i babait të tij, i cili është varrosur të enjten, por që Thaçi nuk ishte lejuar nga Specialja që të merr pjesë në varrim.
Ajo ka thënë se pamja e Thaçit para varrit të babait flet shumë.
“Kjo pamje flet më shumë se fjalët: një bir i përulur para kujtimit të humbjes, një zemër e plagosur prej mungesës, dhe një dritë shprese se e vërteta do të triumfojë, duke i kthyer bijtë pranë familjes, pranë lirisë, dhe pranë idealeve për të cilat kanë sakrifikuar”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Prindit i vjen lutja plot zjarr dhe mall e të birit, dhe ia flladitë atij shpirtin
Një dhimbje e madhe, që përshkon zemrën e çdo njeriu, reflektohet në këtë pamje ku i biri qëndron i vetëm para varrit, i rrethuar nga kurorat e luleve dhe një heshtje e rëndë fushash.
Është një çast ku ndjesia e pikëmbetjes, hidhërimit, humbjes dhe e mungesës përplasen fuqishëm me dëshirën për t’i dhënë mirupafshim e papërjetuar prindit të dashur dhe për të qenë pranë familjes në këto ditë zie.
Kjo pamje flet më shumë se fjalët: një bir i përulur para kujtimit të humbjes, një zemër e plagosur prej mungesës, dhe një dritë shprese se e vërteta do të triumfojë, duke i kthyer bijtë pranë familjes, pranë lirisë, dhe pranë idealeve për të cilat kanë sakrifikuar.
Prindit i vjen lutja plot zjarr dhe mall e të birit, dhe ia flladitë atij shpirtin.