Besa Ismaili: Pushtetet shkojnë e vijnë z. Kurti, Zveçani mbetet, sepse është Kosovë
Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka ekspozuar një situatë të qartë të anashkalimit politik nga pushteti qendror, veçanërisht nga kryeministri Albin Kurti.
Ai ka deklaruar se asnjë kërkesë e komunës nuk është plotësuar nga ana e kryeministrit, përfshirë edhe sigurimin për mbrojtje të afërt që ia kishte premtuar personalisht kryeministri Kurti por nuk e kishte realizuar kurrë, ndryshe nga rasti me dy kryetarët nga radhët e LVV-së në këto komuna.
Kandidatja për deputet e PDK-së, Besa Ismaili, ka thënë se kjo sjellje është një shembull i pastër i keqpërdorimit të pushtetit, duke minuar qeverisjen e mirë dhe besimin e qytetarëve.
Sipas saj, ky është një turp i pabarazisë.
“Pabarazia në shpërndarjen e burimeve dhe fondeve të qeverisë qendrore është e papranueshme si praktikë por ka qenë e pranishme për të gjitha komunat në Kosovë që nuk janë qeverisur nga LVV!. Por rasti i administratave komunale në veri është kupolla e hipokrizisë së kryeministrit Kurti për shumë arsye. Përzgjedhja e preferencave të kryeministrit në favor të komunave si Leposaviqi, duke lënë pas dore Zveçanin, tregon trajtim preferencial të komunave për arsye politike vetëm të pushtetit së tij, në dëm të unitetin kombëtar dhe barazisë së qytetarëve. Kjo situatë duhet të konsiderohet një turp i madh për një qeveri që pretendonte të ndërtojë një shoqëri të drejtë dhe demokratike”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ismaili ka thënë se drejtësia dhe barazia nuk janë privilegje që një kryeministër ua jep kujt atij i teket; ato janë të drejta të patjetërsueshme për të gjithë.
“Pushtetet shkojnë e vijnë, Zveçani mbetet, sepse ajo komunë është Kosovë z. Kurti”, ka shkruar Ismaili.
“Është koha që të gjithë qytetarët të kërkojnë një qeverisje të drejtë dhe të barabartë për të gjitha komunat”, ka theksuar Ismaili.
Besa Ismaili në zgjedhjet e 9 shkurtit është pjesë e listës së PDK-së për deputete me numër 41.