Besa Luzha, kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se Besa Luzha do të jetë kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD.
Haradinaj nëpërmjet llogarisë se vet në në “Facebook” ka thënë se skenës politike i duhet një personalitet, siç është Besa Lezha.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Skenës tonë politike i duhet një personalitet i kompletuar si Besa Luzha, e cila do të ishte vlerë për secilën listë zgjedhore. Besa Luzha, nga Prishtina është nënë e tre fëmijëve, pianiste, pedagoge shumëvjeçare e Universitetit të Prishtinës dhe e para që ka fituar thirrjen akademike Doktor i Edukimit ndërkombëtar në Universitetin e Londrës, i ranguar si i pari ne botë për hulumtimet shkencore në fushën e arsimit.
Si studiuese shkencore, në fushën e edukimit muzikor, ka dhënë kontribut të madh në përparimin e statusit dhe të përmbajtjes së edukimit muzikor në Kosovë. Me organizimet e ngjarjeve kulturore të nivelit të lartë artistik e me karakter ndërkombëtar dhe promovues për vendin, Besa shquhet si prijëse e jetës kulturore muzikore në Kosovë.
Në 20 vitet e fundit Besa poashtu është dalluar paralelisht si aktiviste e zëshme në shoqërinë civile, në media dhe si koordinatore e programit dhe aktiviteteve politike e shoqërore në Fondacionin e respektuar Gjerman Friedrich Ebert, me mision promovimin e Demokracisë sociale, lirisë, barazisë dhe pjesëmarrjes aktive qytetare në politikëbërje.
Besa është zë i fuqishëm avokues për fuqizimin e gruas në shoqëri dhe për avancimin e të drejtave të saj. Ardhja e saj në listën tonë të koalicionit, në cilësinë e profesionistes së shquar dhe aktivistes së zëshme të shoqërisë civile, me një përvojë rreth 20 vjet të angazhimit të saj profesional, me integritet dhe dinjitet e përgjegjësi, është vlerë e madhe për ne.
Kjo ishte edhe kërkesë e natyrshme e votuesve tanë për të pasë në radhët tona sa më shumë kuadro profesionale të fushave të ndryshme dhe gra që kanë dijen, përvojën dhe vendosmërinë për t’u angazhuar politikisht me qëllim të adresimit të sfidave të shumta për vendin tonë. Mirënjohës që personalitete kredibile dhe me integritet nga shoqëria civile, po i bashkohen vizionit tonë për 100% shtet.
/Epoka e re/