Besa sot përballet me Vëllaznimin në ‘play-off’
Pas përfundimit interesant të stinorit në Superligën A për hendbollistë, ka ardhur koha për ndeshjet e fazës përfundimtare të kampionatit, përkatësisht “play-off”-it.
Të dy ndeshjet e para gjysmëfinale luhen sot (e shtunë). Besa Famgas e pret në Pejë skuadrën e Vëllaznimit nga ora 17:00. Kampionia aktual, Besa, e ka përfunduar stinorin e rregullt në vend të parë, ndërsa Vëllaznimi në vend të katërt. Besa vlerësohet favorit i madh në këtë gjysmëfinale. Gjysmëfinalja tjetër zhvillohet në mes të Kastriotit të Ferizajt dhe Prishtinës.
Këto dy skuadra u takuan të dielën edhe në finale të Kupës, ndërsa në një ndeshje të fortë e dramatike fitore me një gol dallim shënoi Kastrioti. Ndeshja e parë e “play-off”-it në mes të Kastriotit e Prishtinës luhet të shtunën nga ora 19:00, në Ferizaj. Ndeshjet e dyta luhen në Gjakovë e Prishtinë, ndërsa ndeshjet e treta eventuale prapë në Pejë e Ferizaj. Skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, kalon në finale.