Besëtytnitë e lashta për eklipset, hapën rrugën për të vërtetën shkencore
Nga: Jason Colavito / CNN
Në Mesopotaminë e lashtë, eklipsi diellor ishte burim i shqetësimeve të mëdha. Popujt e lashtë të Lindjes së Afërt kishin frikë se eklipset, veçanërisht të Diellit dhe të Hënës – por, edhe të planetëve – ishin “shfaqje të këqija” që sinjalizonin rrezik të madh për shëndetin dhe për jetën e mbretit. Për ta shpëtuar sundimtarin nga fati i tmerrshëm, e emëronin një mbret të përkohshëm për një periudhë të shkurtër, dhe pastaj atë e vrisnin – duke e përmbushur kështu simbolin e vdekjes së mbretit, duke lejuar që banuesi i zakonshëm i fronit të kthehej i padëmtuar në detyrë.
Edhe në këtë epokë të shkencës, besëtytnitë vështirë se vdesin. Madje, edhe më racionalët prej nesh ndonjëherë besojnë në ogur. Sot, eklipset kanë pak gjëra nga roli i mëparshëm historik si pararojë e katastrofës.
Në mediat sociale, frikacakët e ekstremit të djathtë ofrojnë teori të pakuptimta konspirative rreth eklipsit, i cili për ta sinjalizon një sulm që do të kryhet nga emigrantët pa dokumente – kundër qyteteve amerikane. Por, fakti se shumica prej nesh tani e kuptojnë se një shenjë dramatike në qiell – si eklipsi – nuk i dikton ngjarjet në Tokë, kjo është një kujtesë e rëndësishme për të vërtetat e pandryshueshme shkencore në një epokë të teorive konspirative.
Në të gjithë botën e lashtë, eklipset diellore ngjallnin frikë sepse dukej se ndodhnin në mënyrë të rastësishme dhe sepse shkaku i tyre nuk u kuptua plotësisht – duke shkaktuar ankth nëse Dielli do të rishfaqej.
Aty ku dija dështoi, miti mbushi boshllëqet. Shumë kultura imagjinuan se eklipsi diellor ndodhi kur një qenie mitologjike e hante Diellin. Në Vietnam ishte një bretkosë. Në Ande ishte një pumë. Midis popujve vendas të Amerikës së Veriut, kafshët – që nga ketrat e deri te arinjtë – e kryenin këtë punë. Në Kinën e lashtë, një dragua ishte përgjegjës. Në kulturat e tjera, mitet e eklipsit rrotulloheshin rreth një takimi ose martese midis Diellit dhe Hënës.
Me kalimin e kohës, njerëzit e lashtë filluan të përpiqeshin të regjistronin dhe të kuptonin shkencërisht eklipset, megjithëse këto përpjekje ende ishin të përziera me mendimet për magji. Më shumë se 2500 vjet më parë, astronomët kinezë përpiluan të dhënat për eklipset diellore, por i panë si ogur i errët për perandorin i cili duhej të shmangte mishin dhe të kryente rite për të “shpëtuar” Diellin.
Sipas historianit grek, Herodotit, Talesi i Miletit ishte i pari i cili e parashikoi një eklips diellor dhe, kur parashikimi u bë i vërtetë, medët dhe lidianët – të cilët atëherë ishin në luftë – e morën si ogur, e ndërprenë betejën dhe kërkuan paqe.
Disa studiues modernë kundërshtojnë se Talesi ka bërë ndonjëherë një parashikim të tillë, por nga shekujt I-III, studiuesit nga Mesdheu e deri në Kinë kishin filluar të llogaritnin kohën e eklipseve diellore, megjithëse nuk mund të parashikonin se ku do të vëreheshin në Tokë. Ky zanat u zotërua deri në vitin 1715.
Derisa shkenca e përpunoi mekanikën e eklipseve, u pakësua një pjesë e terrorit tradicional – të paktën në mesin e të arsimuarve. Nga periudha e hershme moderne (vitet 1400-1600), autorët evropianë u përpoqën ta rifitonin atë ndjenjë të frikës hyjnore, duke regjistruar se si bota natyrore është strukur përpara eklipseve.
Histori të shumta të kuajve dhe të kafshëve të tjera të ngarkuara, të cilat refuzonin të lëvizin gjatë eklipsit. Zogjtë, thanë disa, ranë nga qielli “të pushtuar nga frika”. Krijesat e natës dolën të trazuara. (Sot shkenca thotë se shumë kafshë mendojnë se nata po afron dhe veprojnë në përputhje me rrethanat.)
Edhe midis disa njerëzve, veçanërisht atyre me pak përgatitje shkencore, eklipset mbetën të tmerrshme, për shekuj me radhë – madje deri në shekullin XIX. Kur një eklips total diellor iu afrua Francës në vitin 1654, një broshurë anonime që i atribuohet astronomit Pierre Gassendi, u përpoq të siguronte banorët e Parisit se eklipsi nuk do ta sillte asnjë dëm. Megjithatë, mesazhi nuk u pranua; shkalla e shkrim-leximit të francezëve ishte rreth 30 përqind dhe shumë parisienë u mbyllën në bodrumet e veta për të shmangur fatkeqësinë e parashikuar që nuk ndodhi.
Thuhet se Kolombi [Christopher Columbus] i kishte frikësuar njerëzit e arauakive, të cilët përpiqej t’i kolonizonte dhunshëm, duke e parashikuar saktë një eklips diellor – por, kjo histori është e pasaktë. Kolombi në fakt e parashikoi një eklips hënor. Shumë njerëz e ngatërrojnë përrallën e Kolombit me një roman shumë më të vonshëm. Në vitin 1889, Mark Twain e kishte treguar një histori të ngjashme, me një eklips më dramatik diellor, për ta shpëtuar nga ekzekutimi heroin e romanit të vet [vepra A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court]. Në të dyja rastet, tregimet kishin për qëllim të bënin kontrastin e praktikuesve modernë të shkencës, kundër njerëzve të zhytur në besëtytni.
Me zgjerimin e arsimit publik dhe me rritjen e nivelit të shkrim-leximit, eklipset u bënë çdo herë e më pak burim frike e më shumë burim eksitimi dhe argëtimi. Në shekullin XIX, turmat e mëdha u mblodhën për festat e vëzhgimit të eklipsit, duke vështruar përmes xhamit të tymosur për t’i mbrojtur sytë nga dielli.
Gjatë eklipsit diellor të vitit 1842, 20 mijë njerëz të të gjitha klasave shoqërore, u mblodhën në Perpinjan të Francës dhe duartrokitën performancën e Diellit. Por, edhe në atë datë të vonë, disa fermerë të varfër dhe analfabetë raportuan se ndjenin tmerre nga eklipsi. “Qielli ishte i qetë, e megjithatë drita e ditës u zvogëlua dhe çdo objekt u bë me hije, e pastaj menjëherë ishim në errësirë. Menduam se u verbëruam”, i tha njëri, astronomit François Arago.
Eklipset gjithmonë kanë sjell me vete një përzierje të shkencës dhe besëtytnive, por sot, falë arsimit dhe medias, pothuajse të gjithë e dinë se çfarë është një eklips dhe se si duhet ta shikojnë në mënyrë të sigurt. Ky triumf i edukimit shkencor na jep një rreze shprese se edhe në epokën e lajmeve të rreme, të dezinformatave dhe fakteve alternative, dija shkencore më në fund fiton. Mund të duhen vetëm disa mijëra vjet! /Telegrafi/