Besian Mustafa kandidat për kryetar të LDK-së
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka deklaruar se do të kandidojë për kryetar të partisë.
Këtë Mustafa e ka bërë të ditur përmes një postimi në “Facebook”, ku ka shkruar se LDK-ja do të shkëlqejë përsëri, ndërsa u ka uruar sukses edhe kundërkandidatëve të tij.
“Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka shkruar Mustafa pos tjerash.
Postimi i plotë:
Të gjithë kemi përgjegjësi për Kosovën dhe LDK-në. Do kandidoj për kryetar të LDK-së më 14 mars.
Kandidat vetëm dhe vetëm në kuti, pa matematika.
Këto 15 vjet, që kulmuan me debaklin e 14 shkurtit, LDK ka humbur shkëlqimin dhe madhështinë e saj. Është koha t’ia kthejmë. Me rrënjët thellë në truallin e LDK-së dhe me fytyrën kah dielli i të ardhmes.
Siç është bërë tanimë zakon në partinë tonë edhe këtu pres të ndërtohen e thellohen konspiracione “ky është i atij grupit” ose “i atij klanit” ose “i atij filanit.” Unë jam Besiani. Biologjikisht jam i Xhemailit. Politikisht, i LDK-së. Ideologjikisht, i themeleve të 1989-ës. Këto ndarja e grupe, qofshin reale apo fiktive, s’na bëjnë nder e s’kanë vend në LDK.
LDK-ja ka nevojë për reformim, por jo për denigrim. Duke u shprehur mirënjohjet më të larta e më të thella për kontributin shumëvjeçar gjithsecilit vendimmarrës të deritanishëm të LDK-së, tani gjithsecili e ka të qartë që udhëheqja e LDK-së duhet t’i kalojë gjeneratës së re politike, jo në kuptimin e moshës, por në kuptimin e ideve, mendimeve dhe veprimeve që përkojnë me rrethanat politike të 10 viteve të ardhshme.
Tradita e këtyre 15 viteve të fundit e denigrimit të kolegëve dhe ish kolegëve të partisë, duhet dhe do të përfundojë. Por, natyrisht, vendimmarrja nga 15 marsi do të kalojë tek një ekip tërësisht i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Ky ekip do të diskutojë hapur, pa grupe e xhepa, secilën temë dhe do të nxjerrë vendimet më të mira për LDK-në dhe Kosovën, jo për individë e grupe.
Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm.
LDK-ja do të shkëlqejë përsëri!
Kolegëve kandidatë ju uroj sukses. Fituesi duhet dhe do ta ketë gjithsecilin anëtarë të LDK-së në shërbimin e tij për ta riforcuar partinë. Na priftë e mbara!
Zoti e bekoftë LDK-në!
Zoti e bekoftë Kosovën!