Besian Mustafa: Unë, Abdixhiku, Haziri e Quni jemi fund e krye LDK
Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa një ditë para se të mbahet Kuvendi i LDK-së për kryetar të saj ka reaguar duke thënë se pas zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie, ai me tre kundërkandidatët e tij do të jenë sërish miq, bashkëpartiakë dhe kolegë.
“Unë, Lumiri, Lutfiu, Antoni, etj. jemi LDK, fund e krye! Nesër në mëngjes jemi kundërkandidat në garën më demokratike në politikën kosovare. Nesër në mbrëmje jemi miq, bashkëpartiakë dhe kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri. Që nga dita e parë e LDK-së, 23.12.1989, na ka udhëhequr uniteti, solidariteti, dialogu, vizioni!”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij në “Facbook”:
Unë, Lumiri, Lutfiu, Antoni, etj. jemi LDK, fund e krye! Nesër në mëngjes jemi kundërkandidat në garën më demokratike në politikën kosovare. Nesër në mbrëmje jemi miq, bashkëpartiakë dhe kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri. Që nga dita e parë e LDK-së, 23.12.1989, na ka udhëhequr uniteti, solidariteti, dialogu, vizioni!
Ashtu siç pritej, në medie u fol shumë, u munduan të na bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare. Por, ne ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar rreth LDK-së!
Heshtja që po mbizotëron ende brenda LDK-së duhet thyer shpejtë, shumë shpejtë. Ja kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë brezave të saj.
Po ndaj me ju disa rreshta të babit tim, shkruar më 27.02.1989, pak muaj para se të themelonte LDK-në, mbi heshtjen e atëhershme rreth grevës së minatorëve:
“Intelegjencia krijuese e vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në lirinë e shpirtit e të mendjes, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencien e njëmendët, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjendjen në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e inteligjencis së vendit hesht, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi…
Indiferenca dhe turpi, sprova dhe katandisja morale mund të jetë e pafund, veçmas kur inteligjencia kalkulon me qëndrime, disponime dhe me strategji të ndryshme pragmatike e politikaniste…
Me dramën e minatorëve njeriu duhet të solidarizohet, kurse drama, katandisja morale dhe heshtja e inteligjencias së vendit njëmend është për ngushëllim.”