Besiana Kadare: Dhunimet janë ‘po aq shkatërruese sa edhe armët e shkatërrimit masiv’
Me rastin e debatit rreth grave, paqes dhe sigurisë të zhvilluar në Seancën 8514 E të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur më 23 prill 2019, u shtrua çështja e dhunës seksuale gjatë konflikteve.
Shumica e 91 personaliteteve që intervenuan në këtë debat bënë apel që të forcohet lufta kundër mosndëshkrimit të krimeve të dhunës seksuale.
“Epoka e re” ka përzgjedhur fjalën e Përfaqësueses së Përhershme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Besiana Kadares.
Gjatë diskutimit të saj Kadare tha: “ Dhunimet seksuale të kryera gjatë periudhës së konfliktit përbëjnë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe një sfidë për sigurinë. Dhunimet janë ‘po aq shkatërruese sa edhe armët e shkatërrimit masiv’ dhe llogariten ndër krimet më të rënda. Rezoluta historike 1325 (2000) krijoi një kornizë të fortë normative dhe vuri në dukje një paradigmë: në të ardhmen dhunimet seksuale në periudha konfliktesh konsiderohen si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Megjithatë, përkundër vullnetit të madh politik dhe përpjekjeve të ndërmarra, krimet që lidhen me dhunimet seksuale gjatë periudhave të konflikteve nuk janë pakësuar”.
Kadare nënvizoi “rolin thelbësorë që kanë luajtur shoqëria civile dhe organizatat e grave për të dokumentuar abuzimet dhe për të ofruar përgjigje adekuate viktimave të këtyre krimeve”.
Ajo përmendi “legjislacionin kombëtar, sidomos përfshirjen e kësaj çështjeje gjatë trajnimeve në fusha të ndryshme civile, të policisë de ato ushtarake”.
Përpos kësaj, Kadare “ftoi Sekretarin e Përgjithshëm që në raportin e ardhshëm të tij të përfshijë rastin e Kosovës, ku dhunimet që kishin për cak civilët kanë shërbyer si armë lufte, dhe ku 20 000 të mbijetuara të këtij krimi vazhdojnë të vuajnë nga stigmatizimi”.
Ndërsa Mara Marinaki, këshilltare e Bashkimit Evropian për këtë çështje, vuri theksin në përgjegjësinë e të gjitha shteteve dhe të bashkësisë ndërkombëtare në tërësi që çështjen e dhunës seksuale gjatë konflikteve ta trajtojnë sipas tri parimeve: parandalim, mbrojtje dhe përndjekje në institucionet e drejtësisë.
Ajo theksoi se BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet që kanë për qëllim që t’i japin fund mosndëshkimit të këtij krimi. Kur është në pyetje qasja ndaj viktimave të dhunës seksuale Këshilltare e Bashkimit Evropian nënvizoi shembullin inkurajues të Kosovës, ku të mbijetuarat e këtij lloji të dhunës mund të kërkojnë dëmshpërblim për traumat që kanë përjetuar gjatë luftës.
Në seancën e pasdites, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën S/RES/2467(2019) kundër dhunës seksuale gjatë konflikte. Për këtë projektrezolutë votuan 13 vende, ndërsa Rusia dhe Kina abstenuan.
Vlen të përmendet se tekstin e kësaj rezolute e kishte përpiluar Qeveria e Gjermanisë. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas tha: “Fakti që nuk dalin para drejtësisë autorët e dhunës seksuale krijon një mosndëshkim vrastar”.
/Epoka e re/