Besim Kelmendi caktohet ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit

21 prill 2022 | 15:05

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të enjten, me votim unanim ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi, ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit.

Këtë detyrë, Kelmendi do ta ushtrojë deri në një vendim të ri të KPK-së.

Sipas Rregullores Nr. 06/2019 për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, në qoftë se mandati i kryeprokurorit të prokurorisë përkatëse ka përfunduar në çfarëdo mënyre, KPK-ja merr vendim për caktimin e ushtruesit të detyrës.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për këtë pozitë, kurse vendimi për dekretim tani mbetet në duart e presidentes Vjosa Osmani.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, ku koalicioni i OJQ-ve: IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, e kanë quajtur të papranueshëm propozimin për emërimin e Isufajt si Kryeprokuror dhe se kanë propozuar që të përsëritet konkursi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj këtij procesi kanë reaguar Ambasada britanike, Ambasada gjermane dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke u shprehur të zhgënjyer me këtë proces.

Ndërsa gjatë të enjtes, presidentja Osmani ka pritur në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, për të diskutuar rreth këtij procesi.

Aleksandër Lumezi  sot (21 prill) përfundon mandatin në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, pozitë të cilën e kishte marrë më 21 prill 2015.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se gjatë 24 orëve…