Besimi i qytetarëve në institucionet e gjykatave dhe prokurorisë, në rënie
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka prezantuar rezultatet e raportit të parë në kuadër të Barometrit të Sigurisë të Ballkanit Perëndimor mbi integritetin e institucioneve publike.
Duke reflektuar opinionet dhe qëndrimet e qytetarëve, ky raport ofron bazën për projektimin e një qasjeje të qeverisjes dhe politikave me fokus te qytetari.
Raporti përbëhet nga tri pjesë. Pjesa e parë diskuton rezultatet e perceptimeve të publikut në Kosovë ndaj institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe institucioneve publike në nivelin qendror. Pjesa e dytë, shqyrton perceptimin e qytetarëve në lidhje me përhapjen e korrupsionit në institucionet publike, dhe pjesa e tretë fokusohet në perceptimet e qytetarëve lidhur me procesin e punësimit në administratën publike.
Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, presidenti i Kosovës dhe komunat janë institucionet publike më të besuara në Kosovë, ku mbi 50 për qind e të anketuarve deklaruan se u besojnë apo u besojnë plotësisht këtyre institucioneve.
Këto pasohen nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë me 45 për qind të të anketuarve që ndajnë një mendim të tillë.
Nga ana tjetër, më pak se 40 për qind e të anketuarve deklaruan se u besojnë apo u besojnë plotësisht Gjykatave, Prokurorisë, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës.
Rezultatet e raportit tregojnë se qytetarët e Kosovës i shohin institucionet e sigurisë më të besueshme me një nivel më të lartë besimi ndaj tyre, krahasuar me institucionet e tjera publike në Kosovë, siç janë institucionet e drejtësisë, të cilat qytetarët i perceptojnë si më pak të besueshme dhe me integritet të dobët.
Besimi i qytetarëve në institucionet e gjykatave dhe prokurorisë në Kosovë është në rënie të vazhdueshme dhe kjo është shqetësuese.
Qytetarët kanë shkallë më të lartë besimi te institucionet publike të nivelit qendror, veçanërisht në krahasim me vitin paraprak (2020), mirëpo, skepticizmi ndaj këtyre institucioneve mbizotëron në përgjithësi.