Besnik Beqiri zgjedhet kryetar i bordit të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) ka mbajtur Kuvendin e 10, gjatë së cilit janë zgjedhur anëtarët e rinj të bordit
President me mandat dy vjeçar, sikur e parasheh edhe statuti, nëpërmes votimit të fshehur, është zgjedhur Besnik Beqiri, pronar i Kerasan.
Përveç presidentit, Kuvendi ka zgjedhur edhe anëtarët e tjerë të Bordit
Anëtarë tjerë të bordit të OEGJK-së, përmes votimit të fshehur, u zgjodhën:
Eriola Bibolli – ProCredit Bank / Zv. Kryetare e Bordit
Ylli Dushi – ND-Pay / Përgjegjës për thesarin
Fadil Hoxha- Jaha Group/ Anëtar Bordi
Shqipe Dushi – DHL/ Anëtare Bordi
Rene Eschemann – Banka Gjermane për Zhvillim KfW/ Anëtare Bordi
Visar Dobroshi – Recura/ Anëtar Bordi
Presidenti i ri, pasi përshëndeti punën e bordit të vjetër dhe falënderoi Ambasadën Gjermane për mbështetjen e pandashme që i jep OEGJK-së, shprehu rëndësinë e vazhdimësisë në punën e Odës. Ai theksoi se është privilegj marrja e benefiteve nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, duke nisur nga kontaktet e ndërtuara me anëtarët vendorë si dhe ata gjermanë e duke vazhduar me shërbimet e tjera.
Në pjesën e parë të Kuvendit, drejtoresha e OEGJK-së Nora Hasani prezantoi rezultatet e punës së Odës gjatë vitit 2020. Znj. Hasani theksoi se Oda përgjatë vitit 2020 ka përkrahur anëtarët në eksport, për të iu ndihmuar që të kyçen në boshllëqet e krijuara në zingjirët e furnizimit të kompanive gjermane, shkaku i pandemisë. Gjithashtu, përkundër masave kufizuese për shkak të pandemisë, OEGJK në mënyrë të vazhdueshme ka zhvilluar aktivitete, shumica prej tyre në formën online, me të vetmin qëllim që t’u ndihmojë kompanive anëtare në përgjigje të kërkesave të tyre. Përpos përkrahjes së kompanive anëtare OEGJK gjatë vitit 2020 bashkë me Konrad-Adenauer-Stiftung botoi manualin për investitorë të huaj dhe guidën Kosovo, Facts and Figures.
Gjithashtu, në punimet e kuvendit u prezantuan, diskutuan dhe aprovuan plani i punës për vitin 2021; buxheti, ndryshimet statutore dhe raporti i auditimit për vitin 2019 dhe 2020.
Rreth Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK)
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) është organizatë që fokusin kryesor e ka tek anëtarët dhe është e përkushtuar për të fuqizuar më shumë lidhjet bilaterale, të tregtisë dhe investimeve mes Kosovës dhe Gjermanisë. OEGJK është themeluar me iniciativë të Ambasadës Gjermane në Prishtinë, dhe aktualisht përfaqëson 130 kompani anëtarë, të cilat në total punësojnë mbi 15 000 punonjës. Oda këshillon, përkrah dhe përfaqëson kompanitë gjermane në Kosovë që kërkojnë të investojnë, zhvillohen ose të zgjerojnë aktivitetin e tyre biznesor. Gjithashtu, përkrah dhe këshillon kompanitë kosovare, të cilat tregtojnë me Gjermaninë, përmes një game të gjerë të shërbimeve duke iu krijuar mundësi për rrjetëzim dhe të bërit biznes.
Meqenëse OEGJK është në zemër të komunitetit të biznesit gjerman në Kosovë, si organizatë luan rol aktiv në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes për kompanitë anëtare, duke siguruar një zë të respektuar për anëtarët e tanë. Anëtarësia në OEGJK është e mundur për kompanitë dhe institucionet që kanë lidhje tregtie apo investimi me Gjermaninë.