Besnik Bislimi cenon integritetin territorial të Kosovës, diskuton për urën në Bruksel
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën në Bruksel ka shkelur “rëndë sovranitetin”, ka “cenuar integritetin territorial të Kosovës” dhe “kushtetutshmërinë e vendit” meqë ka pranuar që të diskutojë për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ishte vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila nëpërmjet një komunikate për media, kishte thënë se çështja e urës “nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë”, në të kundërtën “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.
Kundër sugjerimeve të presidentes, më 17 shtator ka vepruar pikërisht kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, kur ka pranuar të diskutojë çështjen e Urës në selinë e NATO-s në Bruksel me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacionet, Tom Goffus dhe Komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Stefano Tomat.
Në një komunikatë për media pas takimit, Aleanca Veri – Atlantike, u përkujdes të potencoi pikërisht faktin se takimet e ndara në selinë e NATO-s me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, u zhvilluan “në margjinat e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të organizuara nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak”.
Çfarë diskutuan Goffus e Tomat me Bislimin e Petkoviç-in?
Goffus e Tomat, sipas një komunikate për media e lëshuar nga Aleanca Veri – Atlantike, NATO, të martën kanë zhvilluar takime të ndara me të kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimi e kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç-in në Bruksel – ku çështja kryesore e diskutuar ka qenë ura kryesore mbi lumin Ibër.
“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Goffus, siç thuhet në komunikatë, ka theksuar se vendimi për çështjen e urës “duhet të merret në kuadër të dialogut” dhe në “koordinim në kohë dhe në mënyrë efektiv me Komunitetin Ndërkombëtar”.
“Në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”, potencon komunikata. Albaniapost.
NATO e konfirmon: Me Bislimin e Petkoviç-in diskutuam për çështjen e urës së Ibrit