Besnik Bislimi thotë se raporti i BE-së për Kosovën ka pasaktësi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është shprehur se Raporti i Progresit nga Bashkimi Evropian (BE), përmban pasaktësi.
Madje sipas tij në disa raste ky raport, ka pasur edhe “absorbim të informacioneve”, duke rekomanduar tutje edhe aprovimin e Kodit të Procedurës Penale, ndonëse i njëjti është kryer në shtator.
“Kam një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha komisionet. Kemi një situatë në gjashtë muajt e fundit, e cila nuk mund të përshkruhet me këtë fjali që e hasim në raportin e progresit”, ka thënë Bislimi në tryezën me temën “Raporti i BE-së për Kosovën 2021”, organizuar nga Instituti EPIK në bashkëpunim me Komisionin për Integrim Evropian dhe me mbështetje të GIZ-it.
Më tutje, ai ka thënë se me Qeverinë Kurti, çështja e progresit evropian ka marrë përparësi primare.
“Kjo vlen edhe për shifrat e zhvillimit ekonomik edhe për të hyrat buxhetore. Por edhe për statistikat që kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit. Në Raportin e Progresit përmendet marrëveshja e 30 shtatorit për targat, që nënkupton se me pak bashkëpunim kemi mundur t’i përfshijmë të gjitha të dhënat deri më 30 shtator”, ka thënë Bislimi.