Besnik Miftaraj merr çmimin “Mërgimtar i vitit”
Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në një ceremoni solemne të mbajtur në rezidencën e ish-presidentit Ibrahim Rugova ka ndarë çmimet “Mërgimtari i vitit” në fushat e parapara sipas ligjit në fuqi.
Gjatë kësaj ceremonie, ku si nikoqir ishte zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, morën pjesë edhe ministri i Diasporës i Maqedonisë, Edmond Ademi, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, familja e presidentit Ibrahim Rugova, si dhe tenori me famë botërore, Ramë Lahaj.
Në këtë ceremoni iu ndanë çmimet pjesëtarëve të diasporës shqiptare për kontributin e tyre dhënë në fushat e ndryshme gjatë vitit, për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor, historik e gjuhësor shqiptar.
Po ashtu, po në këtë ditë u dhanë edhe çmimet për shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën.
Çmimi për emisionin më të mirë televiziv iu dha gazetarit nga Danimarka Ixhet Lutfiu për dokumentarin “Zëri i shqiptarëve të Danimarkës, vitet 1965 -1999”.
Çmimi për shkrimin më të mirë në media/portale iu dha gazetares Elvira Berisha për shkrimin “Realiteti politik i ShBA-së në qëndisjet e artistes shqiptare”.
Ndërsa në bashkëpunim me Komunën e Skenderaj, më 1 gusht është mbajtur manifestimi qendror në Prekaz.
Manifestimi nisi me homazhet te varrezat e Jasharëve, për të vazhduar në Skenderaj, me një koncert festiv për nder të bashkatdhetarëve.
Në këtë manifestim, përveç ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, kanë qenë të pranishëm presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, kryetari i bashkisë Piana degli Albanesi në Sicili, arbëreshi Rosario Petta, e përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.
Ministri Gashi dhe homologu i tij, Pandeli Majko, theksuan se nga Prekazi përçohet mesazhi se diaspora është një dhe e pandarë. “Falënderoj bashkatdhetarët për ndihmesën dhënë vendlindjes në momentet më të rënda, duke kontribuar për lirinë që e gëzojmë sot. Shteti i Kosovës do të jetë mirënjohës për angazhimin, rolin dhe punën tuaj”, ka thënë presidenti Thaçi në fjalën e tij para të pranishmëve.
Kurse kryeministri Ramush Haradinaj u ka thënë bashkatdhetarëve që të vazhdojnë të besojnë në atdheun e tyre. “Së bashku ta forcojmë Kosovën, që të bëhet sikur vendet në të cilat jetoni”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka theksuar se me mburrje e krenari duhet ta pranojnë se pa diasporën shteti ynë nuk do të ishte këtu ku ndodhet sot. “Duke qenë se diaspora shqiptare është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit pozitiv të mbarë kombit tonë, ne si institucione kemi obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, pa marrë parasysh shtetin ku ata jetojnë”, ka thënë Bekim Jashari.
Ndërsa ministri i shtetit për Diasporën i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se sa herë shkojnë në vende të ndryshme të botës, themi se shqiptarët kanë një diasporë. “Shqiptarët kudo që janë, janë një”. ka thënë Majko.
Çmimet e ndara:
-Çmimin “Mërgimtar i vitit” në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë e mori Besnik Miftaraj
-Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e kulturës iu dha tenorit të njohur Ramë Lahaj
-Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e sportit iu dha dy futbollistëve shqiptarë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri
-Çmimi “Mërgimtar i vitit” në fushën e veprimtarisë afariste iu dha Bekim Brestovcit
-Çmimi i Nderit iu nda Rosario Petta, kryetar i komunës Hora Arbëreshëve në Sicili, dhe Agron Bajrami, themelues e koreograf i shkollës së vallëzimit “Shota” në Zvicër
-Çmimi “Mërgimtar i vitit” iu dha Mark Gjonajt, ndërsa çmimi “Post Mortem” iu nda ish-futbollistit Fadil Vokrri, njeriu që bëri shumë për njohjen e sportit në arenën ndërkombëtare.