Besnik Tahiri ia kthen Mustafës: Kjo Qeveri po e forcon shtetësinë
Pas statusit për kabinetit e Qeverisë Haradinaj, kryetarit të LDK-së Isa Mustafës, përveç zëvendësministrit të FSK-së Burim Ramadanit, i është kundërpërgjigjur edhe njëri prej këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj.
Besnik Tahiri e ka quajtur Haradinajn si të vetmin kryeministër që direkt është ballafaquar me problemin dhe ka bërë zgjidhje.
“Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, është e vërtet që ka më shumë këshilltarë e zëvendësministra, por ka dyfishin e punëve dhe detyrave. Ato që qeveritë paraprake nuk kishin as vullnetin e guximin për t’u ballafaquar përkundër që i kishin më shumë se 80 deputetë, u dasht me i bë ne, me vendimet që kthejnë dinjitetin e shtetit dhe hapin perspektivë për vendin”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Tahiri ka shtuar se po, kjo qeveri ka edhe sfida, greva e ballafaqime.
“Kjo sepse ne kemi marrë çështjet një për një për t’u dhënë zgjidhje. Për dallim nga qeveritë paraprake që konservonin problemet, me frikën e rrëzimit. Nuk ka rast, as vendim që kryeministri Haradinaj ka heshtur për shkak frikës nga debatet dhe diskursi publik. Ai është ballafaquar, ka sqaruar dhe ka prodhuar zgjidhje”.
“Lidershipi i guximshëm nuk e bazon vendimmarrjen në diskursin që mund të krijohet, ai është aty për të siguruar që vendimet janë interes i vendit dhe jo të politikës ditore. Kjo qeveri, jo vetëm se po forcon shtetësinë, por është në hapat final për të vendosur në korniza funksionimin institucional”, ka shkruar Besnik Tahiri.