Besnik Tahiri: Industria e ndërtimit ka nevojë për dorën e shtetit, në veçanti komunës
Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët ëe AAK-së, Besnik Tahiri, ka vazhduar aktivitetin e tij në kuadër të zgjedhjeve lokale në këtë qytet.
Ai ka thënë se industria e ndërtimit në Podujevë është ajo që i krijon vendet e punës më së shumti në këtë qytet.
“Me dhjetëra të rinj punojnë gjithandej Podujevës, mirëpo edhe në Prishtinë dhe në Kosovë për të siguruar jetesën e tyre. Ky sektor është në vështirësi, ashtu si edhe vetë zgjidhjet urbane, Podujeva, tash e 20 vite ka Drejtori për Urbanizëm, por fare planifikim urban. Për këta tre muaj, kam bashkëbiseduar me të rinj, me pronarë ndërtimesh dhe kam parë që kjo industri ka nevojë për dorën e shtetit, e në veçanti për dorën e komunës. Shumica prej tyre, fjalën e parë e kanë, ‘duhet me ikë prej këtij vendi’, pra synimet e tyre janë, ose të largohen ose të gjejnë mundësi tjera. Problemi më i madh, përveç punës së vështirë, mbetet angazhimi sezonal dhe pamundësia për të gjeneruar të ardhura dhe siguruar mirëqenie për familjet”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se është e domosdoshme që komuna t’i bëjë disa çështje që ndërlidhen me këto: “urbanizëm sa më shumë, të ndihmojë në kontraktim, të ndihmojë në çështjet që lidhen me funksionalizimin e kësaj pune. E, zgjidhja e kësaj është zgjerimi i qytetit, duke e kthyer në kantiere të mëdha ndërtimi. Ndërkaq, për punëtorët, duhet dialoguar me bizneset që të sigurojmë kontrata dy sezonale: pra, verës në ndërtim dhe dimrit në punë e angazhime tjera”.