
Besnik Tahiri konfirmon se nuk do të jetë deputet i kësaj legjislature: Uron rikthimin në Kuvend të Dautit dhe Lahiut
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet i legjislaturës së re që do të krijohet nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Unë nuk do të jem deputet i kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, tani edhe pas certifikimit të rezultateve konfirmohet se ky ishte vullneti i votuesve të Aleancës”, ka shkruar ai.
Tahiri ka uruar kolegët e tij që fituan mandatet, ndërsa për vete tha se do të reflektojë për këtë rezultat.
“Unë do të vazhdoj të jem i njëjti, por do të më duhet do kohë për të analizuar dhe reflektuar mbi këtë çka ka ndodhur. Në veçanti, më duhet të analizoj cilat janë arsyet që votuesi i AAK-së në një përzgjedhje preferenciale, me mundësi të zgjedhjes së 10 kandidatëve nuk e kanë parë të rrugës që unë të jam njëri prej dhjetëve në preferencën e tyre”, ka shkruar ai, duke thënë se nuk do të dorëzohet.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të vendit,
Unë nuk do të jem deputet i kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, tani edhe pas certifikimit të rezultateve konfirmohet se ky ishte vullneti i votuesve të Aleancës.
Megjithatë, falënderoj nga zemra 9,693 votues që menduan dhe më besuan që të isha pjesë e Kuvendit të Kosovës. Dua të uroj kolegët, kryetarin Haradinaj, Dr. Time dhe Bekën për rizgjedhje. Po ashtu, të uroj rikthimin në Kuvend të Dautit dhe dajës Lahi.
Në këtë postim, dua të falënderoj ekipin në Grupit Parlamentar, të falënderoj Fixhin dhe gjithë ekipin që përgjatë katër viteve, më ndihmuan të isha i suksesshëm në ballë të jetës parlamentare, betejave politike e parlamentare në kuvend, artikulimin e qëndrimeve politike dhe të pozicioneve të Aleancës.
Miq të dashur,
Unë do të vazhdoj të jem i njëjti, por do të më duhet do kohë për të analizuar dhe reflektuar mbi këtë çka ka ndodhur. Në veçanti, më duhet të analizojë cilat janë arsyet që votuesi i AAK-së në një përzgjedhje preferenciale, me mundësi të zgjedhjes së 10 kandidatëve nuk e kanë parë të rrugës që unë të jam njëri prej dhjetëve në preferencën e tyre.
Përndryshe, jam krenar për punën që bëra në 4 vitet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe thellësisht mirënjohës për 9,693 qytetarë që votuan dhe besuan se duhej të vazhdoja si përfaqësues i tyre në Kuvend.
Ngritjen e kam synimin e radhës, dorëzimin asnjëherë.
Faleminderit për të gjithë ju që më besuat gjithmonë, e edhe kësaj radhe!
Besniku