Besnik Tahiri në Mitrovicë kërkon votën për AAK-në, thotë se Haradinaj është personi i duhur për president
Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, në tubimin elektoral në Mitrovicë ka theksuar se është i nderuar që sot është në qytetin që, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe Aleanca, nuk ka ndalur dhe nuk ka kursyer asnjë energji për ta mbështetur, edhe kur kanë qenë në opozitë, por edhe kur e kanë udhëhequr qeverinë.
Ai ka kërkuar mbështetje nga qytetarët e Mitrovicës për Ramush Haradinajn president.
“Në vëmendjen e juaj dua ta sjell vetëm një çështje, në këto zgjedhje nuk jemi duke garuar për pushtet, por po garojmë për shtet. Këtë shtet historikisht qe 21 vite e mbron, e forcon, e shtynë përpara njeriu që e kemi në ballë, Ramush Haradinaj, dhe subjekti politik që e mban numrin 135”.
“Në qytetin e minatorëve, në qytetin që ka qenë, jo vetëm bosht i zhvillimit industrial me “Trepçën” me Stan Tërgun, por në qytetin që ka qenë vatra e kulturës, vatra e njerëzve të ditur të cilët i kanë dhënë shumë këtij vendi”.
“Në këto zgjedhje kërkoj nga ju që të lidheni me numrin 135, që të mbështesni kandidatin tonë që e mbron shtetin dhe që është dëshmuar se nuk vrapon pas pushteti, të lidheni me ne, në mënyrë që t’ia japim vendit një lider, një president unifikues”, ka thënë Tahiri.