Besnik Tahiri pjesë e listës për deputet, ky është mesazhi i tij
Besnik Tahiri në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit do të jetë pjesë e listës së koalicionit AAK-PSD për deputet.
Tahiri i cili mban postin e sekretarit të përgjithshëm të AAK-së, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se e vlerëson të shenjtë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
“Përvoja nga ekzekutivi, më ka mësuar se angazhimi i profesionistëve në hartimin e Legjislacionit është kyç për kualitetin e jetës së qytetarëve dhe synimet e reformave për integrim. Jam i bindur se ashtu siç adresuam çështjet e prezantuara, besimi i juaj, do të kthehet në kontribut për shtetin në Ligje më të mira, e çështje të adresuara për sfidat që janë jetike”, ka shkruar Tahiri.
Postimi i plotë i Tahirit:
Të dashur miq,
E vlerësoj të shenjtë besimin për të përfaqësuar, andaj afrohem para jush, jo për të eksperimentuar përfaqësimin, por me provën e punëve të kryera dhe vizionin e qartë profesional e politik. Para se të isha pjesë e ekzekutivit, në zgjedhjet paraprake kam kërkuar besimin për të adresuar vizionin tim pse qëndroj në politikë, çfarë vlera e synime përfaqësoj.
Pavarësisht përkrahjes, nuk arrita të jem i zgjedhuri juaj dhe mbi obligimin e besimit, ndjeva dhe paraqita rezultatet e punëve, nga ato që kemi diskutuar e prezantuar para jush. Pa modesti, e me krenari e them se rezultatet janë të mëdha, e të vlerësuara gjerësisht, megjithatë edhe detyrat që na presin janë shumë dhe jo pak sfiduese.
Përvoja nga ekzekutivi, më ka mësuar se angazhimi i profesionistëve në hartimin e Legjislacionit është kyç për kualitetin e jetës së qytetarëve dhe synimet e reformave për integrim. Jam i bindur se ashtu siç adresuam çështjet e prezantuara, besimi i juaj, do të kthehet në kontribut për shtetin në Ligje më të mira, e çështje të adresuara për sfidat që janë jetike.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar mbështetës,
Kërkoj besimin me provën e punëve të kryera, me përkushtimin njerëzor, profesional e politik dhe jo si mbështetje për të eksperimentuar me vullnetin tuaj. Jam i bindur se kam ofruar dëshmi se cilit model të politikanëve i përkas dhe padyshim besoj se vlerësimi më i mirë është mbështetja juaj.