Besnik Tahiri: Sondazhet e nxjerrin AAK-në partinë numër një në vend
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se në bazë të sondazheve të fundit të jashtme të opinionit publik sikur zgjedhjet të mbaheshin sot AAK-ja do të fitonte mbi 22 për qind të votave.
“Kjo do ta nxirrte AAK-në partinë numër 1 në vend, pra fituese të zgjedhjeve. Sipas sondazhit, kjo lidhet fortë me përkrahjen që qytetarët i japin punës dhe politikave qeverisëse të kryeministrit Ramush Haradinajt me përkrahje të mbi 55% të tij, dukshëm larg liderëve të partive tjera. Kur kësaj i shtohet fakti që projeksionet e sondazhit flasin për trend në rritje të Aleancës, atëherë presioni mbi ne si subjekt është pozitiv, pra që të bëjmë më shumë, ndërsa mbi disa parti tjera është presion negativ. Ato duhet të bëjnë çmos ta ndalin rënien, të mos dështojnë”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas Tahirit, Aleanca nuk i referohet sondazheve të jashtme, pa i ekzaminuar, validuar dhe krahasuar ato me sondazhet e brendshme të saj.
“Si Aleancë, kur shohim këtë mbështetje në rritje për ne dhe për lidershipin e Ramush Haradinaj, ne ju garantojmë që nuk do të ndalemi në përpjekjet dhe kursin e qartë në shtyrjen përpara të interesave të shtetit dhe të qytetarëve tanë. Me AAK-në të parën, qytetarët të parët, Kosova e 100 për qind e para!”, ka deklaruar Tahiri.
/Epoka e re/