Besnik Tahiri thotë se minsitri Murati po iu bën presion qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar ndaj Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me afatin të cilin kjo ministri e ka përcaktuar për pagesën e tatimit në pronë.
Tahiri përmes një reagimi në Facebook ka thënë se kjo qasje e qeverisë tregon se nuk i qajnë hallet e qytetarëve.
“Rikujtimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, se data 30 prill, është afati i fundit për pagesën e këstit të tatimit në pronë, me çmimin e papërballueshëm ka vendosur në presion mijëra familje. Qasja se 100 euro do të kompensohen me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Tatimin në Pronë, tregon se kjo qeveri nuk i kupton hallet e as pamundësitë e qytetarëve”, ka shkruar Tahiri.
Ai i ka bërë thirrje ministrit të diskutojë me urgjencë me Komunat për këtë projektligj.
“Pagesa kaq e lartë, sot është e pa përballueshme, e pajustifikueshme. E nisën me fajësime të komunave, e vazhduan me gënjeshtra e po e mbyllin me presion. Edhe vetë projektligji, ka hasur gjerësisht kundërshtimin e komunave, në vend se të prodhohen zgjidhje, po normohen edhe më tepër rritje”.
“Thërras ministrin të diskutojë me urgjencë me komunat këtë projektligj, ta sjell në Kuvend, e të ndalë presionin e ndëshkimeve në këtë kohë të çmimeve të papërballueshme. Të shihen zgjidhje për zgjerim të grumbullimit të tatimit. Sepse nuk mund t’u rëndohet barra atyre që po paguajnë plot fatura të dështimeve të institucioneve”, është shprehur Tahiri.