Besoj se do të arrijmë ta parandalojmë grevën
Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka bërë me dije se janë duke punuar për ta gjetur zgjidhjen e duhur për ta parandaluar grevën e SBAShK-ut të paralajmëruar më 14 janar.
Ai ka thënë se, përveç ndaljes së grevës, qëllimi i MAShT-it është edhe realizimi i kërkesave të SBAShK-ut, përkatësisht ngritja e koeficientit për mësimdhënës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bytyqi ka deklaruar se me ngritjen e koeficientit dhe përcaktimin e të ardhurave të mësimdhënësve në karrierë nuk do të ketë nevojë për grevë.
Ai ka thënë se gjendja në sistemin arsimor në Kosovë nuk është e mirë por, sipas tij, tashmë janë marrë hapa konkretë dhe pritet rritje graduale e cilësisë në arsim.
Sa iu përket shkollave profesionale, ministri Bytyqi ka thënë se në këtë vit do të fillojë një etapë e re
“Epoka e re”: Z. Bytyqi, a keni arritur ta bindni SBAShK-un për të hequr dorë nga greva e paralajmëruar më 14 janar nëse nuk plotësohet kërkesa juaj, pra ndryshimi i koeficientit për mësimdhënës në Projektligjin për paga?
Bytyqi: Në vazhdimësi kemi bashkëpunim të mirë me SBAShK-un dhe kemi adresuar problemet për të gjetur zgjidhje. Projektligji për paga duhet të ketë trajtim më të mirë për mësimdhënës dhe në letrën drejtuar Ministrisë së Administratës Publike kemi shprehur mospajtimet për renditjen e koeficientëve për mësimdhënësit. MAShT-i ka dërguar propozimin konkret për radhitjen e koeficientëve për mësimdhënës për të gjitha kategoritë. E kemi bërë zgjerimin e listës sepse është një listë e ngushtë për nivelin e mësimdhënësve përfshirë tashmë ndarjen që kemi në shkolla fillore, të mesme e ulët, të mesme e lartë, ndërsa në projektligj janë të ndara në dy pjesë: shkolla e mesme dhe shkolla fillore. Edhe në Qeveri e kemi ngritur zërin se nuk pajtohemi me këtë renditje, madje kam votuar kundër këtij projektligji. Megjithatë, me SBAShK-un kemi insistuar që në mënyrë institucionale të gjejmë zgjidhje. Edhe në takimin e përbashkët me kryeministrin kemi shprehur gatishmërinë që të gjejmë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Jemi duke punuar me këshilltarët e kryeministrit dhe SBAShK-un që të kemi një propozim për komisionin parlamentar për një ndryshim pozitiv të koeficientit aktual. Besoj se do t’ia arrijmë që të mos ketë grevë në Kosovë. Qëllimi ynë është ta ndalim grevën dhe t’i realizojmë kërkesat e zbatueshme. Për zgjidhjen e zbatueshme do të përfshihet ngritja e koeficientit dhe propozimi që mësimdhënësit në karrierë të kenë të ardhura shtesë. Me ngritjen e koeficientit dhe përcaktimin e saktë të të ardhurave të mësimdhënësve në karrierë besoj se nuk do të ketë nevojë për grevë.
“Epoka e re”: Keni marrë sinjale pozitive nga SBAShK-u për pezullimin e grevës?
Bytyqi: Nuk mund të merret vendimi sot apo nesër se do të realizohen kërkesat sepse kjo varet nga komisioni parlamentar dhe për këtë duhet të bisedojmë me komisionin. Por SBAShK-u ka për obligim t’u përcjellë mësimdhënësve se Ministria e Arsimit dhe Qeveria kanë gatishmëri të madhe për të gjetur zgjidhje. Ky është një lajm i mjaftueshëm që të mos ketë grevë. Fillimi i grevës do ta dëmtonte procesin mësimor dhe do të shkaktonte probleme të tjera. Nëse SBAShK-u parandalon grevën do ta kemi më lehtë zgjidhjen e problemit. Sidoqoftë, ne angazhohemi që mësimdhënësit të trajtohen siç duhet sepse kjo nuk është përgjegjësi e jona, por e Ministrisë së Administratës Publike. MAShT-i nuk ka pasur ndikim në përcaktimin e koeficientit të mësimdhënësve, por ka qenë vullnet që mësimdhënësit të mos trajtohen në këtë mënyrë. Për këtë kemi ngritur zërin dhe kemi qenë të gatshëm të jemi partnerë me SBAShK-un dhe të tjerët në mënyrë që të mbrohen mësimdhënësit karshi renditjes së koeficientit në listën e pagave. Nuk do të ketë ulje të pagave të mësimdhënësve, por po tentojmë të trajtohen në renditje me profesionet e tjera sepse jemi të interesuar që sistemi arsimor të jetë në një nivel tjetër. Me koeficientët e fundit finalë kemi rritje të pagave për mësimdhënësit e arsimit të lartë, por jo edhe në arsimin fillor. Prandaj po tentojmë që edhe në arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët të kemi rritje të pagave, mirëpo edhe pjesa e arsimit të lartë të ketë rritje më të lartë sesa që është aktualisht në projektligj.
“Epoka e re”: Në vazhdimësi thuhet se arsimi është prioritet kombëtar, megjithatë në vitet e fundit ka rënë cilësia në arsim. Çfarë do të bëni konkretisht për ta rritur cilësinë?
Bytyi: Gjendja në sistemin arsimor në Kosovë nuk është e mirë, por në vitet e fundit janë duke u bërë përpjekje të mëdha që të ndryshohet kjo gjendje. Janë identifikuar problemet dhe tani jemi në fazën e implementimit për të ndryshuar situatat që e kanë shkaktuar rënien e cilësisë në arsim. Nuk është e lehtë të ndryshohet menjëherë gjendja në arsim sepse kërkon angazhim të përgjithshëm dhe reforma të mirëfillta. Çdo përpjekje për ta ndryshuar gjendjen dhe për të pasur një sistem siç e kanë vendet e zhvilluara nuk mund të sjellë rezultate të menjëhershme. Megjithatë, kemi marrë hapa konkretë dhe presim gradualisht, çdo vit të kemi rritje të cilësisë në arsim.
“Epoka e re”: Në këtë rrugëtim e keni mbështetjen e partnerëve qeverisës?
Bytyqi: Qeveria Haradinaj ka futur si prioritet sistemin arsimor, por gjatë kësaj periudhe ka pasur zhvillime politike të rëndësishme të cilat e kanë larguar vëmendjen nga arsimi. Megjithatë, falë përkushtimit të Qeverisë dhe MAShT-it, kemi arritur që në vitin 2019 të ketë trajtim më të mirë në buxhet, edhe pse jo në nivelin e dëshiruar. Kemi rritje buxhetore dhe në këtë vit do të ketë orientim më të mirë në sistemin arsimor.
“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë në aspektin arsimor? Dhe cilat janë angazhimet e MAShT-it për mbështetjen e arsimimit dhe edukimit të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Mal të Zi, Maqedoni si dhe fëmijëve shqiptarë në diasporë?
Bytyqi: Ministria e Arsimit në Kosovë dhe Ministria e Arsimit në Shqipëri kanë bashkëpunim shumë të mirë dhe synojnë të shkojnë drejt një sistemi unik të arsimit në Kosovë dhe Shqipëri. Në këtë drejtim kemi bashkëpunim në trajtime të mësimdhënësve, në çështjen e kurrikulave që i kemi të njëjta dhe po interesohemi që edhe në sistemin e arsimit të lartë të kemi bashkëpunim më të afërt. Me homologen time jemi pajtuar të kemi edhe shkëmbim të kuadrove, sidomos në programet deficitare. Jemi në rrugë të mbarë për ta ndihmuar njëri-tjetrin meqë me bashkëpunim mund t’i tejkalojmë problemet në sistemet tona arsimore. Synojmë që edhe për profesionet e rregulluara të kemi një komision të përbashkët që do të merret me përpilimin e provimit të profesioneve të rregulluara, pastaj këto profesione të njihen në mënyrë automatike. Kurse sa i përket pjesës jashtë Kosovës dhe Shqipërisë në 2018-n është bërë një punë e madhe duke u finalizuar kurrikulat e përbashkëta për diasporë të cilat do të jenë në përdorim nga ky vit. Dërgojmë libra falas për diasporën dhe ky bashkëpunim me Shqipërinë shkon edhe një hap më tutje sepse planifikojmë financimin e përbashkët për mësimdhënësit në diasporë në mënyrë që nxënësit shqiptarë të mësojnë shqip. Ndërsa sa i përket Malit të Zi, MAShT-i e ndihmon shumë, sidomos në shpërndarjen e abetares falas për fëmijët shqiptarë. Ndërkaq, kur flasim për Luginën e Preshevës, kemi probleme politike, ndalesa nga shteti serb dhe nuk kemi arritur që as librat t’i dërgojmë. Jemi në diskutime me Shqipërinë për të gjetur mundësi për t’i kaluar këto probleme sepse Serbia refuzon çdo lloj bashkëpunimi apo përkrahje që Kosova e Shqipëria tentojnë t’i japin Luginës.
“Epoka e re”: Çfarë jeni duke bërë sa i përket hapjes së shkollave profesionale, sepse në vendin tonë po ka mungesë të zhvillimit të profileve profesionale?
Bytyqi: Nuk na mungojnë shkollat profesionale, por nuk janë të profilizuara. Profilet nuk kanë qenë në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe në këtë drejtim jemi duke punuar. Aktualisht po planifikojmë të zhvillohen 15 standarde profesionale që janë në përputhje të plotë me kërkesat e tregut. Këtë vit parashohim ‘ndërtimin’ e dhjetë shkollave me programet më të kërkuara në tregun e Kosovës dhe ky projekt do të financohet nga GIZ-i dhe Qeveria e Luksemburgut. Po përpiqemi të kemi një orientim në karrierë për nxënësit, pra ata shkollën profesionale mos ta shohin si shkollë për nxënësit e dobët, por që të jetë shkollë për ta gjetur talentin e tyre, pastaj ata të jenë të gatshëm për tregun e punës në moshën 18-vjeçare. Në këtë vit fillon një etapë e re për shkollat profesionale në Kosovë.
“Epoka e re”: Ministër, sa keni arritur të bëni ndryshime në zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë në universitetet publike dhe në kolegjet private?
Bytyqi: Nuk është e lehtë të ndryshohet gjendja menjëherë në universitetet publike dhe kolegjet private. Megjithatë, i kemi bërë disa hapa pozitivë, duke vendosur rregulla dhe disiplinë në këto institucione. Për herë të parë vitin e kaluar kemi vendosur rregull se cila është data e fundit kur studentët mund të regjistrohen dhe ky është një kontroll se si po bëhet regjistrimi i tyre. Tashmë kemi Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) të pavarur me njerëz profesionalë. Këtë vit Agjencia do ta fillojë monitorimin e cilësisë brenda kolegjeve private dhe universiteteve publike. Për herë të parë në terren do të kemi zyrtarë të Agjencisë që jo vetëm do ta kryejnë detyrën e akreditimit, por do të shikojnë zbatimin e obligimeve dhe gjendjen e tyre. Çdo institucion i cili nuk do t’i respektojë obligimet ndaj tij do të merren masa.
“Epoka e re”: Janë të nevojshme të gjitha këto universitete publike dhe kolegje private?
Bytyqi: Që në fillim kemi thënë se numri i universiteteve publike është i madh dhe nuk është e nevojshme që Kosova me më pak se dy milionë banorë të ketë kaq shumë universitete. Për këtë arsye kemi ngritur një grup profesional i cili ka bërë një fizibilitet të universiteteve publike dhe ka dalë me dy rekomandime për të cilat presim reflektim të Qeverisë dhe Kuvendit. Rekomandohet reduktimi i universiteteve publike në dy, pastaj universitetet e tjera të jenë degë e tyre ose të profilizohen universitetet. Më brengosës se numri i universiteteve është përmbajtja e tyre dhe e kolegjeve. Shumica e universiteteve dhe kolegjeve bazament e kanë Fakultetin Ekonomik dhe Juridik e që, në fakt, sipas statistikave, aktualisht Kosova ka më së paku nevojë për ekonomistë dhe juristë. Edhe për dhjetë vjetët e ardhshëm nuk kemi nevojë për juristë dhe ekonomistë. Kjo do të thotë se nuk jemi në balancë me kërkesat e tregut. Universitetet dhe kolegjet duhet të shohin se çfarë programesh janë të nevojshme për vitet e ardhshme dhe të rinjtë të marrin një diplomë me vlerë dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës. Këtu duhet të jetë fokusi.
“Epoka e re”: Z. Bytyqi, cilat do të jenë prioritetet e juaja gjatë këtij viti?
Bytyqi: Për pjesën parauniversitare i kemi identifikuar katër shtylla kryesore të cilat do të jenë bazamenti për ta ndryshuar gjendjen e cilësisë. Në shtyllën e parë është çështja e mësimdhënies dhe trajnimi i mësimdhënësve, pra ndryshimi i metodës së mësimdhënies nga metoda klasike në metodën moderne. Këtë do ta arrijmë me forma të reja të trajtimit të mësimdhënësve dhe jo siç ka qenë deri më tash me një trajnim të përgjithshëm. Në shtyllën e dytë kemi qeverisjen e shkollave dhe kemi konstatuar se kemi një qeverisje jo të duhur. Gardiani i mbrojtjes së cilësisë në shkollë është drejtori që duhet të jetë menaxher i mirë. Do ta kemi një formë tjetër të zgjedhjes së drejtorëve të shkollave. Faktor kyç në zgjedhjen e tyre do të jenë prindërit. Me këtë formë do t’i eliminojmë ndikimet e jashtme dhe politizimin e shkollave. Do të kemi edhe një formë tjetër të zgjedhjes së mësimdhënësve. Jemi në diskutim të modelit të Shqipërisë që është model shumë i mirë ku pas përfundimit të Fakultetit të Edukimit dhe apo fakulteteve të tjera që kanë të bëjnë me mësimdhënie i futen një testi online dhe bëhet një renditje nga më të mirët. Pastaj kudo që hapet një konkurs personi që është në renditje i pari e ka vendin e garantuar. Në shtyllën e tretë është monitorimi i shkollave që është një formë e re, ku një rol kyç do ta luajë inspektorati i arsimit. Me metodën e re do të kemi inspektorë këshillëdhënës dhe pastaj pjesa e dytë do të jetë matja e performancës dhe inspektimi në orë. Kjo metodë do ta rrisë cilësinë e arsimit në shkolla. Shtylla e katërt ka të bëjë me rritjen e aktorëve nëpër shkolla. Prindërit do ta kenë një rol më aktiv nëpër shkolla, por edhe aktorët e tjerë të ministrive të linjës sepse kemi shumë dukuri negative në shkolla siç është dhuna dhe përdorimi i narkotikëve. 2018-ta ka qenë alarmante sa i përket përdorimit të narkotikëve dhe nuk mund të rrimë indiferentë karshi këtyre problemeve, por duhet të marrim masa. Synojmë t’i eliminojmë apo t’i minimizojmë këto dukuri. Këto do të jenë katër shtyllat si fokus i prioritetit për këtë vit. Me GIZ-in gjerman synojmë t’i ‘ndërtojmë’ 10 shkolla në të cilat do të implementohen këto katër shtylla, pastaj ato të merren model nga të tjerët. Kurse te pjesa e arsimit të lartë kemi një grup profesional të krijuar nga USAID-i me ekspertë ku do të marrim informacione për gjendjen e përgjithshme të sistemit të lartë arsimor dhe do të identifikohen dobësitë që nga qeverisja brenda institucioneve e deri te programet që kanë nevojë institucionet e arsimit të lartë. Do të ndërtojmë një strategji për arsimin e lartë me qëllim të rritjes së cilësisë së arsimit.
Shqipe HETEMI