Besojmë në pafajësinë e të akuzuarve nga Prokuroria Speciale
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rasim Demiri, në emër të Koalicionit VAKAT shpreh befasinë tij dhe koalicionit që drejton me rastin e ngritjes së aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale ndaj presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit dhe deputetit Kadri Veselit, kryetarit të PDK-së.
“Akoma më befasuese është koha në të cilën njoftohet ngritja e këtyre aktakuzave, marrë parasysh se më datë 27 qershor është paralajmëruar takimi në Uashington për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duam të besojmë në drejtësi dhe në pafajësinë e të akuzuarve”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Besojmë në demokracinë, sundimin e ligjit dhe sistemin kushtetues në Republikën e Kosovës, e cila e ka dëshmuar në vepër. Besojmë në drejtësinë e betejës dhe lartë vlerësojmë rënien e pjesëtarëve të UÇK-së për çlirimin dhe mbizotërimin e ligjit dhe demokracisë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
“Jemi për gjykatën e cila do të gjykojë të gjithë kryerësit e krimeve mbi qytetarët e pafajshëm, para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, por nuk jemi për aktakuza dhe gjykime vetëm mbi bazën e njëanshme të etnisë apo përkatësie tjetër”, ka shkruar ndër tjera Rasim Demiri, deputet dhe kryesues i koalicionit Vakat.