Beteja e Koshares konsiderohet si njëra prej betejave më titanike të luftës për liri
Me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, sot, në Koshare u mbajt manifestimi “Ditët e shqipes”. Aty u tha se kjo betejë shënon njërën prej betejave më titanike të luftës për liri gjatë gjithë historisë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se lufta e Koshares e ndryshuar rrjedhën në tërësi të zhvillimeve në Kosovë.
Haradinaj shton se dëshmorët e kësaj beteje, kanë arritur ta thyejnë kufirin shqiptaro-shqiptar, i cili ishte vendosur nga forcat pushtuese.
“Zhvillimet në luftën në Kosovë ishin mjaftë të vështira…Sulmi frontal në Koshare, epopeja e Kosharës dhe operacioni luftarak i Kosharës, nuk ka ndodhur në të kaluarën ndonjëherë në luftën e shqiptarëve… Ne kemi pasur përpjekje të vazhdueshme, por asnjëherë nuk i kemi arritur këto përmasa. Vetëm kjo luftë e tillë e përmasave të tilla e ka ndryshuar rrjedhën në tërësi të zhvillimeve në Kosovë… Sa herë që flasim për Kosharen, nuk po flasim vetëm për një luftë, një betejë por flasim për një operacion lufte që ka zgjatur me ditë të tëra dhe çdo ditë kanë ardhur ushtarë të zotë si Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu dhe plotë të tjerë. Ata me vetë lavdinë dhe krenarinë, sepse me të vërtetë kanë arritur ta thyejnë kufirin shqiptaro-shqiptar të vendosur me dhunë përmes shqiptarëve”, tha ai.
Sefer Isufi, gjeneral brigade u shpreh se Beteja e Koshares shënon njërën prej betejave më titanike të luftës për liri gjatë gjithë historisë.
Ndër të tjera, ai tha se Beteja e Koshares ka dëshmuar se liria nuk ka çmim dhe se çmimi i saj është shumë i lartë.
“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e Kosovës dhe të kombit tonë. Ajo shënon njërën prej betejave më titanike të luftës tonë për liri gjatë gjithë historisë. Me 9 prill është miratuar dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila simbolizon qëllimin e arritur të shumë betejave heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënieve të lavdishme të bijëve dhe bijave të saj, që nga qëndresa e familjes Jashari e deri te Beteja e Kosharës… Nëse Kushtetuta e vendosi sovranitetin dhe përjetësoj kufinjtë e Kosovës, Beteja e Kosharës tregoi qartë se kufiri me Serbinë nuk mund të ishte kufiri ndërmjet shqiptarëve… Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se liria nuk ka çmim dhe se çmimi i lirisë është shumë i lartë”, tha ai.
Ndërkaq, djali i dëshmorit Rifat Goxhufi, Durimi, derisa tregoi se ishte vetëm 5 muajsh kur i vdiq babai, tha se lirinë e sollën luftëtarët e dëshmorët që ranë për të mos vdekur kurrë.
Ai u shpreh se gjaku i të rënëve është “udhërrëfyesi i jetës sonë”.
“24 vite më parë në këtë ditë filloi të vijë liria, lirinë që e kërkuam shumë vite dhe shumë gjenerata. Lirinë e sollën këta luftëtarë e dëshmorë që ranë për të mos vdekur kurrë, ndër ta ra dhe babai im, i cili më la 5 muajsh kur ai vdiq dhe nuk pati mundësi të më shihte më kurrë. Ata u flijuan vetëm për një arsye, që të luftojnë kundër armikut që mos të shkelë në Kosovën e lirë dhe ne sot ta gëzojmë lirinë dhe ashtu ndodhi. Sot për të gjithë ne, gjaku i tyre është udhërrëfyesi i jetës sonë, që të vazhdojmë që veprën e tyre ta dërgojmë sa më lartë në lirinë që e sollën ata vetë”, shtoi ai.
Kujtojmë që, në këtë betejë vitit 1999, përgjatë dy muajve kanë rënë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe qindra të tjerë janë plagosur.