
Beteja e Pirgut të Myzeqesë e vitit 1457
Nuk po themi miliona, apo mijëra, por edhe qindra vjet më parë, Myzeqeja nuk ka patur kurrë këtë reliev, formë dhe pamje gjeografike siç është sot, por edhe në një të ardhme, ajo nuk do te jetë përsëri e tillë si tani. Ligjet dhe forcat madhore të natyrës kanë bërë gjithmonë punën e tyre, ato kanë ndryshuar jo vetëm vijën bregdetare, duke marr e lënë sipërfaqe të mëdha tokash, por edhe drejtimin e rrjedhjes së lumenjve të saj Shkumbin, Seman e Vjosë, të cilën në shekullit e 3-të e çvendosen edhe nga portat e qytetit të Apolonisë së famshme. Vetëm në këto tre dekadat e fundit, deti në mënyrë të heshtur ka bërë disa lëvizje e spostime të paimagjinueshme në këtë krahinë, ku në plazhin e Semanit ai ka hyrë brenda tokës me kilometra të tëra, ndërsa në atë të Divjakës ai është larguar shumë nga brigjet e tij të mëparshme.
Duke ju referuar dokumenteve historike të Lashtësisë, si dhe atyre të Mesjetës, ato na tregojnë qartë, se edhe në kohëra tepër të largëta, Myzeqeja ka qenë vazhdimisht vendi i ndryshimeve e bukurive përrallore pafund me lumenj, gadishuj, limane, këneta, godulla, porte dhe qytete famoze antike si Apolonia, Ardenica, Adria, Arnisa, Daulia, Dimali, Portëza, Mbyeti, Margëlliçi, Karbunara e tjerë, një pjesë e të cilave sot nuk ekzistojnë më.
Po kështu edhe në grykën e lumenjve të saj dikur të lundrueshëm, dy prej të cilëve (Vjosa dhe Semani) atëherë rridhnin drejt veriut, pranë Apolonisë e Karbunarës për tu derdhur në det, ajo veç të tjerash ka patur edhe tre qytete porte (Skela) mjaft të dëgjuar për atë periudhë, gjurmët e dy prej të cilëve kanë mbërritur deri në ditët tona.
Mbështetur në këto të dhëna historike dhe arkeologjike, por edhe në shkrime e tregime të ndryshme, që janë bërë shekuj më parë nga historian, gjeograf, studiues e figura të njohura të botë së penës e të dijes, rezulton se këto qytete të vjetra myzeqare ishin :
1-Pirgu i Devollit, ose (i Karavastasë) Fier.
2-Spinarica, në afërsi të fshatit Topojë, Fier.
3-Sllanica, në grykën e lumit Vjosë, Fier, për të cilën sot nuk ekziston asnjë gjurmë.
Fotografia është marr në internet.
Një sërë dokumentesh të vjetra hedhin dritë, se qyteti port i Pirgut të Karavastasë, apo Pirgu i Diavolos, në fshatin e sotëm Ndërnënas, buzë Adriatikut, mbi lumin e Semanit (Apsus), ka qenë tepër i njohur gjatë asaj periudhe, jo vetëm si skelë e fuqishme tregtare, por edhe si një vend strategjik, dhe mjaft i rëndësishëm për veprime të ndryshme mbrojtëse ushtarake.
Qyteti port i Pirgut, ka patur edhe kështjellën (kalanë) e tij të madhe e ndërtuar ndoshta 800, apo 1000 vjet e ca më parë, nga familja e njohur princërore Matrënga dhe myzeqarët gjatë viteve 1297-1370-të, për ta mbrojtur atë nga sulmet ushtarake grabitqare të fuqive të ndryshme të pellgut të Adriatikut dhe atij të Mesdheut, apo piratët e detit, që ishin të shpeshta gjatë atyre kohëve të hershme, me flotat dhe anijet e tyre detare.
Gjithashtu, në këtë qytet ka qenë edhe një kullë e lartë vrojtuese, nga lartësitë e së cilës, mund të vëzhgoje lehtësisht në distanca të largëta, jo vetëm gjithë bregun e detit e në thellësi të tij, por edhe përgjatë rrjedhës së lumit Seman dhe përreth fushave të atyre anëve. Ajo ka pasur një formë pesë këndore, ndoshta kjo për të siguruar edhe një shikim sa më të gjerë prej dritareve të saj, ashtu siç e donin kërkesat e objekteve të tilla fortifikuese ushtarake për qëllime vëzhguese e mbrojtëse, të cilat shpesh ishin në përshtatje edhe me llojet e armatimit që janë përdorur gjatë asaj periudhe prej luftëtarëve myzeqar.
Për këtë kullë flitet se pas një rrëzimi që ka pësuar për shkaqe të panjohura, ajo është rindërtuar përsëri më e fortë se më parë nga familja princërore e Muzakajve, kur e kishte në pronësinë e vet, duke mos ja ndryshuar funksionin e saj, të qenurit vetëm për qëllime vrojtimi e zbulimi, në mbrojtje të këtij qyteti portual tepër të rëndësishëm.
Legjenda, gojëdhëna e tregime të shumta për Pirgun e lashtë, janë folur vazhdimisht nga Popullin Myzeqar, ku thuhej se ky qytet ka patur edhe rrugë të bukura, dyqane, treg të madh, hambarë, depo, magazina, zyra tregtare, konsullore, ushtarake, punishte zejtarie e farkëtimi, si dhe mjaft ndërtesa banimi për strehimin e popullatës së vet.
Veç këtyre, Pirgu kishte edhe disa kisha të tij (ndoshta tre, apo katër), në të cilat kryenin lutjet dhe ritet e tyre fetare, marinarët, ushtarakët, shtetas të huaj, diplomat, konsuj, por edhe populli i tij, ku njëra prej të cilave thuhej se ka ekzistuar edhe shumë kohë më herët se të fillonte ndërtimi i këtij qyteti.
Ky qytet bregdetar, mjaft i përmendur dhe me histori trimërish, mendohet se ka lulëzuar nga viti 1000 deri më 1450-të, duke arritur të mbijetoj edhe në kohërat e Mesjetës së Vonë, për të cilin ruhen ende disa dokumente, që vërtetojnë ekzistencën dhe kulturën tij në këtë periudhë.
Duke parë se porti i Pirgut, qe i vendosur në grykëderdhjen e lumit Seman me ujëra të lundrueshme, ai ishte tepër i rëndësishëm, pasi i siguronte qytetit të Beratit jo vetëm daljen në detin Adriatik, por edhe lidhjen me qytete të tjera si Apoloninë, Bylisin, Orikumin, Vlorën, Durrësin, Korfuzin, Raguzën (Dubrovnikun), Napolin, Venedikun e tjerë, me të cilët ai zhvillonte një aktivitet mjaft të pasur tregtar.
Si një qytet strategjik dhe me pasuri të shumta, i zotëruar fillimisht prej familjes feudale të Matrëngëve, ai qe tepër i lakmuar nga të gjithë dhe për pasojë, ky ka ndryshuar vazhdimisht pronarët e tij, vendas e të huaj, duke kaluar edhe në pronësi të Muzakajve të Beratit, Topiajve të Durrësit, Balshajve të Shkodrës, Venedikut e tjerë.
Gjatë pushtimit pesë shekullor turk, regjimi osman i ndryshoi edhe emrin Pirgut, duke e quajtur Hasturkas (që do të thotë i pari i Turqisë) dhe e cilësoi atë si pronë shtetërore e okupatorëve të Stambollit, që administrohej drejtohej e kontrollohej vetëm prej Anadollit, xhandarmërisë dhe ushtrive të tij, të dislokuara në këtë port, apo rreth tij.
Në periudhën e lavdishme të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, që drejtoi shtetin tonë Arbërinë për 25 vjet me radhë, atij ju kthye përsëri emri i vet, ku shkëlqyen edhe më shumë fama dhe trimëritë e tij dhe të popullit heroik myzeqar.
Duke parë rëndësinë e madhe strategjike që kishte ky qytet nga ana ekonomike e tregtare dhe sidomos nga ana ushtarake, ai mori një rol të ri dhe zhvillim të gjithanshëm në këtë periudhë të mbushur plot me luftëra, beteja dhe fitore të mëdha historike.
Kështu Populli Myzeqar, nxori nga gjiri i tij edhe mjaft luftëtar, duke i inkuadruar ata në struktura të rregullta ushtarake tokësore e detare, të cilat qëndronin vazhdimisht në gatishmëri për mbrojtjen e qytetit të Pirgut nga çdo sulm i ushtrive osmane, që vinin shpesh për ta pushuar këtë port dhe vënë nën sundimin e tyre.
Gojëdhënat flasin se lundrat (gjemitë) e vogla e të shpejta ushtarake të luftëtarëve myzeqar, u shtuan mjaft gjatë kësaj kohe dhe ato qarkullonin e kontrollonin kudo përball portit, por edhe në det të hapur e gjatë lumit Seman, duke patrulluar edhe për sigurimin e anijeve tregtare, që hynin e dilnin në skelën e Pirgut, një pjesë e të cilave shkonin edhe drejt qytetit të Beratit.
E veçanta e ushtrisë së qytetit të Pirgut ishte, se ajo u ngrit prej Populli Myzeqar dhe financohej nga të ardhurat e pasuritë tij, që edhe në ato kohëra kanë qenë mjaft të konsiderueshme, sa një pjesë e madhe e tyre eksportohej edhe në vende e qytete të tjera të pellgut të Adriatikut.
Kjo ka ndodhur edhe për faktin, se Myzeqeja duke qenë gjithmonë shesh lufte dhe fushë betejash, ku ushtritë osmane që vinin nga deti, veriu apo edhe prej lindjes për të pushtuar Kalanë e Beratit, ose dhe kur tërhiqeshin të mundura prej forcave tona, ato shpesh sulmonin ashpër edhe popullsinë civile të kësaj krahine, ku kanë bërë mjaft masakra, shkatërrime dhe grabitje të pasurisë së saj.
Siç dihet, gjatë muajit korrik të vitit 1455-së, në Berat u zhvillua një betejë mjaft e ashpër midis 12 mijë luftëtarëve të Skënderbeut, që drejtoheshin nga kunati i tij, princi Karl Muzak Topia dhe ushtrisë osmane e cila mbronte kalanë e këtij qyteti.
Kur fitorja qe tepër e sigurt për forcat tona dhe komandanti i garnizonit turk, premtoi se do të dorëzonte kështjellën, ai me pabesinë dhe dredhitë e tij që e karakterizonin, arriti ti mashtroi drejtuesit ushtarak shqiptar, duke u kërkuar atyre të prisnin disa ditë, që ky veprim të kryhej në mënyrë paqësore dhe jo me anë të luftës.
Ndërkohë, që forcat tona kishin humbur vigjilencën dhe gatishmërinë e tyre ushtarake, në frontin e luftës, duke festar para kohe e pa mbaruar beteja, një ushtri tjetër e madhe turke mbërriti shpejt në Berat dhe me një sulm të befasishëm ajo i goditi ashpër dhe i dëmtoi mjaft rëndë forcat tona, duke lënë mbi 5(pesë) mijë të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur.
Nga kjo betejë, ku humbjet tona qenë tepër të rënda, ato e përkeqësuan mjaft jo vetëm gjendjen e brendshme politike dhe ekonomike në Shqipëri, por ato gjithashtu shkaktuan edhe një far lëkundje e pesimizmi në radhët e fisnikëve e të princave shqiptar, që përjetuan këtë katastrofë tepër të përgjakshme..
Dy vjet më vonë, pa u mbyllur ende mirë plagët e kësaj beteje në Berat, Porta e Lartë duke parë edhe situatën e rënduar që po kalonte populli dhe ushtria shqiptare, mendoi se kishte ardhur koha që të sulmonte përsëri dhe si objektiv të saj këtë radhë ajo caktoi qytetin port të Pirgut, për ta vënë atë sa më parë nën sundimin e vet, pasi ai do të ishte mjaft i rëndësishëm edhe për pushtime të tjera territoresh.
Kështu, aty nga mesi i muajit korrik të vitit 1457-të, një ushtri tjetër e madhe turke sulmoi edhe portin e Pirgut në tre drejtime kryesore, nga deti, Durrësi dhe ana e Elbasanit, duke kujtuar se ky plan i tillë, do t’ju siguronte osmanëve një fitore tepër të shpejt dhe pa shumë sakrifica e humbje të mëdha.
Gojëdhënat tregojnë, se i gjithë populli i Myzeqesë, që nga Vilë Bishtova, Kuçova e deri në Nartë, u ngrit i tëri në këmbë, rrëmbeu armët dhe shkoi në drejtim të Pirgut, për të mbështetur luftëtarët e tij dhe mbrojtur qytetin e tyre me çdo kusht, që në atë kohë kishte mjaft rëndësi për të gjithë jetën e vendin tonë.
Luftëtarët myzeqar të përforcuar edhe nga populli, me anijet e tyre të shpejta luftuan me heroizëm të pashoq, jo vetëm brenda në det dhe ujërat e lumit Seman, por edhe nëpër fushat përreth tij, gjatë tërë bregut të detit.
Thuhet se lufta qe shumë e ashpër dhe vazhdoi për disa ditë, ku armiku pësoi humbje të rënda dhe kur po bëhej gati që të kryente edhe tërheqjen e tij të turpshme nga fushë-beteja e në një gjendje të rraskapitur, duke lënë edhe qindra e mijëra të vrarë, në luftë u futë menjëherë edhe Skënderbeu me ushtrinë e tij që erdhi nga Kruja, duke e shpartalluar plotësisht ushtrinë turke.
Flitet se lundërtarët myzeqar, me varkat e tyre të shpejta e të vogla, qenë shumë të stërvitur e të përgatitur për të zhvilluar luftime të tilla nëpër ujërat e detit, apo të lumenjve dhe tepër të suksesshëm në veprimet e tyre luftarake për asgjësimin e forcave të armikut.
Të mbushur plot me urrejtje të thellë ndaj okupatorëve turq, si dhe për të marr hakë ndaj tyre, për pasojat e rënda që na shkaktuan në betejën e Beratit, ata brenda një kohe të shkurtër, me sulme të rrufeshme e të befasishme i shkaktuan armikut humbje të mëdha, duke lënë me qindra e mijëra të vrarë, të plagosur dhe të kapur rob në këtë betejë.
Lajmi i fitores së madhe kundër ushtrisë turke në betejën e Pirgut u përhap me shpejtësi, jo vetëm në të gjithë Shqipërinë, por edhe nëpër mbretëritë fqinje të atëhershme evropiane, si Raguzë, Venedik dhe sidomos te aleatët tanë në Napoli, të cilët nxituan të dërgonin edhe urimet e tyre rreth kësaj ngjarje, që ishte tepër e hidhur dhe nuk po kapërdihej dot lehtë nga osmanlinjtë e Stambollit.
Fitorja historike që u arrit në Pirg e konsolidoi edhe më shumë, si mbrojtjen e këtij porti të rëndësishëm strategjik, ashtu dhe atë të qytetit të Beratit e të Myzeqesë, duke nxitur kështu më tepër edhe prodhimin e brendshëm vendas dhe shtimin e marrëdhënieve tregtare me botën e jashtme, të cilat sollën zhvillime të reja ekonomike për popullin e kësaj treve e më gjerë.
Triumfi i luftëtarëve myzeqar ndaj turqve në qytetin e Pirgut, veç të tjerash ai ngriti shumë lartë edhe moralin e shqiptarëve dhe të Ushtrisë së Skënderbeut, të cenuar nga disfata e Beratit, duke shënuar kështu edhe pikën e kthesës, me fitore të tjera, që u shënuan më vonë kundër pushtuesve osman.
Edhe kjo fitore e bujshme e kësaj beteje, nuk qe fare e preferuar, për kalemxhinjtë anadollak, egoistët krahinor dhe servilët e pushtetarëve dhe qeveritarëve tanë, për të shkruar rreth saj qoftë edhe disa rreshta në librin e Historisë së Shqipërisë, i cili i përketë të gjithë kombit tonë dhe jo vetëm ndonjë krahine, që mundohet ta bëj atë pronë të vetën dhe për të lartësuar vetëm vlerat e saj.
Aty nga vitet 1970-të, në fshatin Ndërnenas të rrethit Fier, i njohur edhe me emrin turk (Hasturkas), me kërkesën dhe ndihmën e popullit patriot të kësaj zone, nga disa arkeolog janë zbuluar edhe rrënojat e këtij qyteti, së bashku me gurët e kullës dhe të kishës së vjetër të Pirgut, të cilat tani flasin vet më shumë me zërin e tyre, për historinë dhe famën e këtij qyteti të lashtë. Duhen falënderuar mjaft edhe myzeqarët tanë atdhetar, si dhe intelektualët libofsharak, që ja u ndaluan turrën arkeologëve të Tiranës, dhe nuk i lejuan kurrë ata për ti cilësuar e deklaruar edhe këto objekte të të parëve tanë, si kulturë greke, romake, sllave (serbo-bullgare), apo turke.
Kohët e fundit, mbi themelet të kësaj ndërtese kulti të lashtë, për të ruajtur vazhdimësinë, vlerat historike që mbartë dhe për nder të saj, është ndërtuar edhe një kishëz e vogël, që mbanë emrin e shenjtores Shën Marina.
Kisha e Shën Marinës
Ndërtuar në fshatin Ndërnenas Fier, në vendin ku dikur ishte kisha e lashtë e qytetit të Pirgut.
Qëllimi i këtij artikulli nuk është të bëj punën e historianëve, apo të futem në profesionin e bukur të tyre, sepse këtë detyrë funksionale, për të cilën ata paguhen, duhet ta bëjnë vet, por jo këta të vjetrit, që nuk dinë asnjë nga gjuhët e atyre kohëve si osmanisht, greqishten e vjetër kishtare, latinishten e tjerë dhe e lanë në errësirë të gjithë historinë e lavdishme të Myzeqesë me vlerat e saj të mëdha jashtë librit të historisë së Shqipërisë. Ky shkrim, ashtu si dhe disa të tjerë për ngjarje të tilla historike, u krye për tu treguar myzeqarëve, Popullit Shqiptar dhe sidomos brezave tanë të ardhshëm që do të vijnë më vonë, se këtu në krahinën e tyre, në grykëderdhjen e lumit Seman dhe në buzë detit Adriatik, dikur ka ekzistuar një qytet i bukur me kështjellë, kullë, kisha dhe port me emrin Pirg, në të cilin është zhvilluar edhe një betejë e famshme, ku myzeqarët korrën një fitore tjetër të madhe historike kundër okupatorëve osman.
Nga:
Themi J. Tushe
New York-Connecticut
April 28, 2025.