
BETEJA E POZHARIT
Nga Faton Mehmetaj
Sot ishim në kujtim të Elez Gecit dhe Maxhun Berishës, dy trimave të spikatur që kanë dalë nga familje me tradita të hershme patriotike. Këtu më poshtë po e ceku një kronikë të kohës që paraqet disa detale interesant të Betejës së Pozharit.
Ishte vendosur pika tek Graxhovina e Pozharit. Atje është bërë edhe vendosja e minave antitank. Serbët vazhdimisht gjuanin me minahedhës, tanke e artileri të rëndë.
Një ditë pasi që njësitë e UÇK-së i dëbuan forcat serbe nga vendpozicionimet e tyre në Lumbardh, në Ambulancë të fshatit dhe në shtëpitë e Molukëve të Lumbardhit si dhe në shtëpi të Ali Shukrisë, prej nga, pas sulmit që ndërmori Brigada 131, forcat serbe u detyruan të tërhiqen në drejtim të Deçanit. Të nesërmen në mëngjes, para se të sulmojnë forcat serbe, i gjithë Batalioni i Parë i kësaj Brigade ishte në pozicionet e luftës. Në pozicionin e parë mbetën luftëtarët: Shkëlzen Haradinaj, Enver Dobraj, Haxhi Berisha, Bajram Lataj, Xhevat Baçi,. Aty rreth orës 11.30 min. është vërejtur duke ardhur një konvoj i mjeteve të blinduara në drejtim të pozicioneve tona. Mirëpo njësiti që ishte në pozicion, sapo afrohen hap zjarr me mortajë krahu në drejtim të tyre, me ç’rast predha e mortajës godet kamionin i cili ishte plot me policë serbë. Kamioni mbeten mu në kryq të Pozharit. Pas kësaj, forcat tjera policore duke u gjendur në udhëkryq, arritën të kthehen në krahun e djathtë, dhe me mjetet tjera të blinduara të futen në brendi të fshatit Pozhar.
Me të filluar të luftimeve në përforcim erdhën Elez Gecaj, Jahë Gecaj si dhe komandant Daja, Adem Haxhosaj komandant i Batalionit të I-rë të Brigadës 131. Me urdhër të komandantit, një njësit mbeti në ballë të frontit kurse një grup prej katër vetësh kaluan tek Varri i Talit, me qëllim të pengimit të depërtimit të forcave serbe në drejtim të Llukës së Poshtme dhe Lumbardhit.
Duke e parë situatën të tendosur, Adem Haxhosaj kërkon përforcime të reja nga komandanti i Brigadës 131, Daut Haradinaj. Menjëherë në ndihmë erdhën luftëtarët e dalluar, të cilët i cekëm më lartë, Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Astrit Mehmetaj, Bujar Haradinaj, Luan Nimanaj, Luan Qerimaj, Lahi Ibrahimaj, Naser Ibrahimaj, Shpend Malaj, Burim Mustafaj, Ardian Malaj etj.
Në këtë rast luftëtarët tanë, për më se dy orë pandërprerë janë ballafaquar me luftime të rrepta, dhe tentime të pandërprera për të depërtuar në zonën e UÇK-së. Në atë rast, pas konsultimit me Shkëlzen Haradinajn, u morën vesh që Adem Haxhosaj me një njësit të futen në brendi të fshatit, me qëllim që forcat serbe t’i fusin në rrethim. Ademi me ushtarë kalon fundit të fshatit Pozhar deri në pozicionet e përshtatshme, pra pozicionohen tek xhamia e këtij fshati. Këtu ka filluar pastrimi i terrenit nga njësitë tona. Policia dhe ushtria serbe të befasuar në kundërpërgjigjen e këtij sulmi të njësive tona, iu dëgjohej piskama në gjuhën e tyre. Ishin të tmerruar krejtësisht.
Ndërsa luftëtarëve tanë që po përparonin me sukses në sulm u dëgjohej kënga në kupë të qiellit. Luftime të ashpra u bënë kah shtëpia e Isuf Brahimit, Jahë Malës, Isuf Hajdarit etj. Forcat serbe deshën të tërhiqen në drejtim të Kodralisë, mirëpo u hetuan nga forcat tona dhe u goditën me mortaja, zola etj. me ç’rast u shkatërrua edhe një blindë. Pas kësaj, policët serbë lanë blindat dhe tankun e ikën. Tanku mbeti tek dera e Elez Himës. Pa një pa dy, Adem Haxhosaj futet në blindë dhe e lajmëron Shkëlzenin për vendndodhjen e tij.
Derisa Adem Haxhosaj ishte duke e çmontuar mitralozin e rëndë nga blinda, diku rreth orës 20.30 minuta, dëgjoi zërat e ushtarëve se është vrarë një ushtar yni. Aty kishte rënë heroikisht luftëtari Maxhun Berisha nga Prapaqani. Në përpjekje për ta tërhequr trupit e pajetë të këtij luftëtari, serbët gjuajtën me bomba me ç’rast plagosën ushtarët Selman Kuçi, Luan Tetaj dhe Valmir Ukaj, me ç’rast detyrohen të tërhiqen. Pas kësaj vetë Adem Haxhosaj shkoi dhe e tërhoqi trupin e bashkëluftëtarit të tij deri në një vend më të sigurtë ku mund të tërhiqej nga shokët pa probleme.
Pas vrasjes së Maxhun Berishës, Shkëlzen Haradinaj dha urdhër që të gjithë luftëtarët të tërhiqen në pozicionet e mëparshme. Pa mundur që t’i tërheqin apo t’i paaftësojnë mjetet e blinduara të serbëve sepse granatimet edhe më tutje ishin tejet të fuqishme.
Pas vrasjes së Maxhun Berishës ka ardhur Toga e Avdyl Mushkolajt e cila ishte roje me të gjithë ushtarët gjatë tërë natës.
Atë natë, menjëherë Daut Haradinaj, Adem Haxhosaj dhe Valmir Ukaj nisen drejt këtyre mjeteve dhe marrin një mitraloz tanku, armatimin e policëve si dhe sasi të konsiderueshme të municionit të serbëve e mjete të tjera, duke ua vënë mjeteve të blinduara.
Më 29 mars 1999, Ali Geci ishte nga ana e Llukës së Poshtme bashkë me njësinë e Dautit (granatimet ishin të fuqishme, me ta ishte Lahia, Neziri etj.)
Nga ajo anë sulmi ka filluar kah ora 8.30 min. të mbrëmjes në drejtim të urës. Ky grup sulmues është takuar me grupin tjetër sulmues, Shkëlzen Haradinajn, Elez Gecin, Nazmi Ademin, Avdyl Mushkolajn, Abedin Sejfijajn, Skënder Bytyçin, Burimi, Shpendi, Fatmiri dhe Luani.
Në urë janë takuar me Elezin dhe Shkëlzenin – cekë Ali Geci – ata shkuan në drejtim të komandantit, i cili ishte pranë automjeteve serbe që po digjeshin. Snajperistët serbë i vërejnë në dritën e flakës së kamionit dhe qëllojnë në drejtim të tyre. Një plumb e godet Elez Gecin. Ai i tha Shkëlzenit, Shkëlzen vëlla, më ka këputur! dhe më nuk ka folur.
Në mbrëmje Elez Gecaj u varros në vendlindje me nderime të larta ushtarake, edhe pse gjatë tërë kohës kishte granatime të fuqishme.
Edhe Maxhun Berisha i Prapaçanit u varros atë natë me nderime ushtarake, më 29.4.1999 në ora dy pas mesnatës.