
Beteja e tarifave, Kina do të vendosë tarifa shtesë për disa produkte amerikane
Kina do të vendosë tarifa shtesë për disa produkte që importohen nga Shtetet e Bashkuara, që nga 10 marsi, bëri të ditur të martën Komisioni i Tarifave Doganore të qeverisë kineze, raporton noa.al.
Një tarifë shtesë prej 15% do të vendoset për pulën, grurin, misrin dhe pambukun nga Shtetet e Bashkuara, sipas një deklarate të Komisionit.
Sorgumi i kuq, soja, mishi i derrit, mish viçi, produktet ujore, frutat, perimet dhe produktet e qumështit do t’i nënshtrohen një tarife shtesë prej 10%.
Deklarata vjen pas vendosjes së një tarife shtesë prej 10% nga ShBA-ja për produktet që importohen nga Kina, e cila hyri në fuqi sot.
Vendosja e njëanshme e tarifave nga Shtetet e Bashkuara minon sistemin tregtar shumëpalësh, rrit barrën e bizneseve dhe konsumatorëve amerikanë, duke gërryer themelet e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-ShBA, thuhet në deklaratën e Komisionit.