BETEJA E UÇK-SË NË LIKOSHAN E ÇIREZ
Shkruan: Arsim Mehmeti
Sot është përvjetori i 23-të i Betejës së lavdishme të UÇK-së e zhvilluar në fshatrat e Drenicës (Likoshan e Çirez) më 28 shkurt 1998, kundër policisë okupatore serbe në Kosovë.
Në mëngjes të asaj dite, kishin marrë rrugën e pakthim dy automjete me policë serbë për t’i terrorizuar banorët e Drenicës, ndërsa Njësitet e UÇK-së ia qesin rrethin dhe tek lisi Gjashtnjak në Likoshan i asgjësojnë njërën pas tjetrës.
Forcat pushtuese serbe me mbi 80 automjete të blinduara ia mësyjnë Likoshanit dhe në luftime të ashpëra në mbrojtje të popullatës bijnë katër dëshmorët e UÇK-së, Rexhep e Beqir Rexhepi, Muhamet e Naseri Gjeli.
Çetnikët e tërbuar nga humbjet e tyre, gjatë ditës dhe tërë natës vranë dhe masakruan në mënyrën më barbare 20 banorë civil shqiptarë të fshatrave; Likoshan, Çirez, Baks e Gradicë.
Pas stuhisë dhe nderimeve dy ditore për të rënit, më 3 mars u mbajt ceremonia mortore në kodrinën mes fshatrave Likoshan e Çirez, me pjesëmarrjen e afër gjysmë milioni shqiptarë nga të gjitha trevat etnike shqiptare.
Kjo Betejë zgjoi nga gjumi i thellë shqiptarët që i kishin besuar politikës shterpe të kohës dhe përfundimisht i hoqi dilemat, se për çlirimin e Kosovës rruga e vetme ishte lufta e armatosur e popullit në ballë me UÇK-në deri në fitore.
Lufta e UÇK-së mori përmasat mobilizuese pas dy dite nga Epopeja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari në Prekaz më 5,6 dhe 7 mars 1998, me rënien heroike të tij dhe familjes 20 anëtarëshe dhe 39 të tjerë nga lagja Jasharaj.
Këto dy ngjarje ishin vendimtare që luftën tonë të aksioneve guerile e shndërroi në luftë të armatosur frontale ndaj ushtrisë gjenocidale serbe. UÇK u masivizua nga atdhetarët shqiptarë nga të katër anët e botës dhe vazhdoi luftën deri në fitoren e arritur së bashku me ndihmën e NATO-s, më 12 qershor 1999.
Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve për liri!