Beteja me pandeminë, Latifi vlerëson punën e punëtorëve shëndetësorë në Prishtinë
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Rifat Latifi, ka marrë pjesë të premten në ceremoninë e ndarjes se mirënjohjeve për personelin shëndetësor të angazhuar në procesin e vaksinimit kundër Covid-19 në Komunën e Prishtinës.
Me këtë rast, ministri Latifi ka vlerësuar lart angazhimin e Komitetit të imunizimit, ekipit menaxhues dhe ekipeve të vaksinimit për imunizimin e popullatës anekënd Kosovës kundër Covid-19.
“Për më shumë se një vit, vaksinimi kundër Covid-19 ka qenë prioritet numër një në botë në ballafaqimin me Covidin, gjithashtu edhe në Kosovë. Dhe, të jesh në krye dhe pjesë e këtij procesi jetik për shëndetin publik të popullatës është sa përgjegjësi, aq edhe motiv dhe privilegj për t’i shërbyer popullatës në ditë shumë të vështira. Ju e keni bërë dhe dëshmuar këtë”, ka thënë ministri Latifi.
Më tutje, Latifi e ka vlerësuar si storie suksesi vaksinimin kundër Covidit në Kosovë.
“Përmes dhënies së mbi 1. 8 milion doza të vaksinës, nga të cilat 62 për qind të popullatës mbi 12 vjeç kanë marrë nga një dozë dhe 57 për qind nga dy doza dhe 68 për qind të popullatës së moshës mbi 18 vjeç kanë marrë nga një dozë dhe 64 për qind nga dy doza. Janë shpëtuar qindra apo edhe mijëra jetë. E tëra kjo, përmes një vaksinimi që në Kosovë filloi më së voni në rajon, por falë përkushtimit tuaj, e renditi vendin tonë në mesin e shteteve më të mira në rajon për vaksinimin kundër Covid-19”, ka deklaruar Latifi.
Ndërsa Izet Sadiku, drejtor i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi të Komunën e Prishtinës, ka thënë se vaksinimi ka dëshmuar një bashkëpunim të mirë midis nivelit primar të kujdesit shëndetësor me Ministrinë e Shëndetësisë në arritjen e objektivit për vaksinimin e popullatës kundër Covid-19.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Ekipit menaxhues të vaksinimit kundër Covid-19, Niman Bardhi, ka shprehur falënderimin e tij për të gjitha ekipet e vaksinimit në nivel vendi, duke theksuar se për një kohë të shkurtër, përkundër sfidave, janë arritur rezultate të jashtëzakonshme në vaksinimin e popullatës kundër Covid-19.