Beteja milionëshe për vota
Fushata zgjedhore në Kosovë është një garë milionëshe. Ndonëse partitë politike janë të obliguara t’i raportojnë shpenzimet, vëzhguesit e zgjedhjeve ngrenë shqetësime për transparencën e donacioneve që ato marrin.
Partitë politike në Kosovë kanë të drejtë të shpenzojnë mbi dy milionë euro në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar.
Kështu është e përcaktuar me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar.
Rregullorja specifikon se në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale dhe për kryetarë të komunave, kufizimi i shpenzimeve do të jetë në jo më pak se një euro për votues.
Në zgjedhjet e mëparshme ka qenë 0.50 centë për votues.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit, numri i votueseve të regjistruar është 2.075.868.
Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht qysh më 11 janar dhe do të zgjasë deri në ditën kur të hapen qendrat e votimit.
Me fillimin e saj, partitë në garë kanë nisur edhe zyrtarisht shpenzimin e parave.
Shpenzimet përfshijnë para për marketingun politik në televizione, rrjete sociale, shërbime të teknologjisë së informacionit, udhëtime, tubime me kandidatë, karburante, punësim të stafit të nevojshëm për fushatë, logjistikë, ndriçim dhe sistem të zërimit për salla.
Përveç këtyre, para nevojiten edhe për prodhimin e materialeve promovuese, si: kartëvizita, bluza, kapele, broshura, flamuj partiakë, video-xhirime profesionale etj., thotë Eugen Cakolli nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili monitoron fushatën zgjedhore.
Por, publike deri më tash janë vetëm shpenzimet e bëra në rrjetet sociale.
Kompania Meta, e cila ka në pronësi “Facebook”-un dhe Instagram-in, publikon të dhëna për reklamat apo mesazhet e sponsorizuara politike.
Duke analizuar një periudhë prej 30 ditësh, del se shpenzimet për fushatë në “Facebook”, disa garues i kanë nisur para fillimit zyrtar të saj.
Njësoj, edhe disa parti politike – për 30 ditë ato kanë shpenzuar mbi 20.000 euro.
“Radio Evropa e Lirë”, ka kontaktuar të katër partitë që kanë kandidatë për kryeministër – Lëvizjen Vetëvendosje me Albin Kurtin, Partinë Demokratike të Kosovës me Bedri Hamzën, Lidhjen Demokratike të Kosovës me Lumir Abdixhikun dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës me Ramush Haradinajn, por asnjëra nuk iu përgjigj pyetjeve se sa para kanë shpenzuar për fushatë deri më tani dhe sa planifikojnë të shpenzojnë.
Cakolli ka thënë që fushata aktuale të jetë më e kushtueshme krahasuar me të kaluarat, sepse, siç ka deklaruar, është fokusuar në marketing në sferën digjitale.
Si i sigurojnë paratë partitë politike?
Partitë politike financohen nga dy burime – nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët e jashtëm – në formë të parave të gatshme ose përmes kontributeve në mallra dhe shërbime.
Financimi nga buxheti i shtetit bëhet çdo vit përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike.
Ky fond në buxhetin e këtij viti – prej 3.6 miliardë eurosh – ka vlerën e 4.8 milionë eurove.
Mjetet nuk janë shpërndarë ende për këtë vit, sepse rekomandimi i propozuar nga Zyra e Partive Politike në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk i ka marrë votat e nevojshme nga anëtarët e KQZ-së.
Përpjekje të reja pritet të ketë në muajt në vazhdim.
Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike e kishte vlerën e njëjtë edhe vitin e kaluar: 4.8 milionë euro.
Ndarja bëhet në bazë të përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Kosovës, që ka gjithsej 120 ulëse.
Sa përfituan partitë vitin e kaluar?
Nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh politik, përfitoi 2.2 milionë euro.
Partia Demokratike e Kosovës mori mbi 760 mijë euro, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 640 mijë euro dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 320 mijë euro.
Dhjetë partive të tjera të përfaqësuara në Kuvend iu ndanë nga më pak se 100 mijë euro.
Sa janë donacionet?
Me Rregulloren për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, partitë politike kanë të drejtë të pranojnë kontribute shtesë për fushatë nga persona fizikë dhe juridikë.
Personat fizikë mund të japin deri në 2.000 euro, ndërsa ata juridikë jo më shumë se 10.000 euro.
Këto kontribute mund të jepen nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
KQZ-ja e shpalli 9 shkurtin si datë për zgjedhjet parlamentare në gusht të vitit të kaluar.
Megjithatë, në raportet e fundit të publikuara në ueb-faqet e partive politike, donacionet dhe kontributet nuk janë në shuma të mëdha financiare.
Në raportin financiar për periudhën korrik-shtator 2024 të Lëvizjes Vetëvendosje, në kategorinë e donacioneve dhe kontributeve thuhet se janë grumbulluar 3.227 euro, kurse nga anëtarësia 88 euro.
PDK-ja nuk ka të publikuar ndonjë raport për donacione për ndonjë periudhë të vitit 2024, ndërsa në periudhën shtator-dhjetor të vitit 2023, vetëm një person ka dhuruar 100 euro.
Për periudhën korrik-shtator të vitit të kaluar, sipas raportit të LDK-së, kjo parti ka mbledhur 2.995 euro donacione.
AAK-ja, ndërkaq, ka pranuar 5.058 euro donacione në tre muajt e fundit të vitit të kaluar.
Në të gjitha raportet e publikuara figurojnë edhe emrat e kontribuuesve, që në disa raste janë anëtarë apo edhe vetë kryetarë të partive.
Cakolli: Raportet nuk paraqesin gjendjen reale
Vlera e donacioneve është disa herë më e madhe se ajo që raportohet, ka thënë Cakolli nga DnV-ja.
Sipas tij, partitë politike nuk i publikojnë donacionet që i japin kompanitë private.
“Një faktor që i shtyn kompanitë të mos i japin zyrtarisht donacionet, është ekzistimi i një dispozite ligjore, sipas së cilës, kur një kompani ofron donacion për një parti politike, ajo nuk mund të marrë kontrata publike për një periudhe së paku trevjeçare pas përfundimit të kontratës, si nga ana e institucioneve qendrore, ashtu edhe atyre lokale”, ka shpjeguar Cakolli për “Radion Evropa e Lirë”.
Kjo, ka shtuar ai, “i dekurajon bizneset që të japin donacione në mënyrë formale”, porse kontributi i tyre në forma të ndryshme, nuk mungon.
“Ka raste që pronarë të restoranteve, sallave apo kompanive që ofrojnë shërbime apo produkte të caktuara, u japin partive politike mjete pa pagesë. Për shembull, salla e restorantit lëshohet pa kompensim, ose ndriçimi, zërimi apo produkte të ngjashme ofrohen pa pagesë”, ka thënë Cakolli.
Me ligj, subjektet politike garuese në zgjedhje obligohen të dorëzojnë në KQZ raportin financiar të fushatës zgjedhore, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.