BETEJA QË KËRKON ANGAZHIMIN E GJITHË KOMBIT
Agush BUJA
Lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së ndodhet para sfidës së rëndë. Institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, shoqëria civile dhe mediet, ne të gjithë kudo që jemi, duhet të bashkohemi e ta mbrojmë UÇK-në e luftën çlirimtare, me të gjitha mjetet e mundshme të ligjshme.
Cilësimi i USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nga ana e Gjykatës Speciale, tregon se ajo ka devijuar nga qëllimi i saj për të vendosur drejtësi.
Sipas raportit që e ka marrë emrin e Dick Martit, e që në fakt është sajesë e shërbimit sekret serb, si dhe sipas rezolutës së Këshillit të Evropës, të sponzorizuar nga Serbia e Rusia, qëllimi i themelimit të Gjykatës Speciale ishte të hetonte pretendimet për gjoja nxjerrjen dhe trafikimin e organeve të viktimave serbe nga ana e UÇK-së.
Ku ngelën tani këto pretendime?!
Gjykata Speciale, në aktakuzat e ngritura askund nuk merret me këtë. Është ditur botërisht se këto janë shpifje, por këto shpifje nuk duhet të mbesin edhe pa u ndëshkuar.
Legjislatura aktuale e Kosovës duhet të veprojë urgjentisht dhe të ngrejë zërin kundër ofendimit që po i bëhet vlerës kombëtare e çlirimtare, UÇK-së.
Të kujtojmë se në themelet e lirisë është gjaku i mijëra dëshmorëve e invalidëve të UÇK-së, gjaku i mbi 10 mijë civilëve, në mesin e të cilëve mbi 1300 fëmijë, mbi 1000 gra e vajza, si dhe përdhunimi i mbi 20 mijë grave e vajzave…!
Kuvendi i Kosovës, përmes mekanizmave të saj parlamentarë, duhet ta shtrijë kontrollin mbi këtë gjykatë që e ka themeluar vet.
Duhet t’i tregohet Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, se me cilësimin e UÇK-së si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” ka ofenduar gjithë ata bijë e bija që ranë dëshmorë, por edhe të gjithë popullin liridashës të Kosovës.
Në këtë betejë duhet të angazhohet i gjithë kombi.