Betejën e fituam, luftën jo

10 maj 2020 | 08:39

Zhdukja e tërësishme e koronavirusit mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina e që mund të zgjasë një vit, ka thënë, në një intervistë për Ekonomia Online, mikrobiologu Lul Raka. Ai ka thënë se duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin, por duke pasur kujdes maksimal. Sipas tij, Kosova e ka fituar betejën kundër koronavirusit, por jo edhe luftën.

“Pandemia mundet kur të gjendet vaksina, e cila është e sigurt dhe është efikase dhe kur ka mundësi të prodhohet në mënyrë masive, sepse në qoftë se vjen deri në një vaksinë të tillë, ajo merr kohë një vit. Ne duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por, duke pasur kujdesin maksimal”, ka thënë Raka.

Profesori Raka ka treguar se mund të ketë valë të dytë dhe të tretë të virusit, duke marrë shembull vendet e tjera si Singapori që ka pasur valë goditëse të dytë për shkak të neglizhimit të masave.

Raka ka shtuar se në valën e dytë Kosova ka hapësirë që deri në sezonin e ardhshëm të përgatitet në maksimum edhe me teste, pajisje personale dhe kapacitete menaxhuese, në mënyrë që përgatitja të jetë maksimale dhe të mos ketë nevojë për një izolim të tillë sikurse herën e parë, por bashkë me koronavirusin do të ketë edhe një armik tjetër që është gripi sezonal, gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Po, mund të kemi valë të dytë dhe të tretë të virusit. Na e kemi parë prej shteteve të tjera që kanë hyrë së pari në këtë cikël. Në Singapor, pasi ka përfunduar cikli i parë, ka pasur valë të dytë për shkak të neglizhimit të masave. 1 500 raste ka pasur në konvikt të punëtorëve. Për këtë arsye masat parandaluese janë shumë të rëndësishme, sepse raste mund të ketë, por mos të ketë rritje enorme dhe këto raste të jenë të menaxhueshme. Në stadin e dytë, që do të ndodhë në sezonin e ardhshëm, virusi nuk mund të zhduket sepse tashmë është në pjesë të tjera të botës, në ato jugore ku fillon dimri. Ne kemi parë në Kinë që ka pasur raste të reja.

Në valën e dytë Kosova ka hapësirë që deri në sezonin e ardhshëm të përgatitet në maksimum edhe me teste dhe pajisje personale, kapacitete menaxhuese, në mënyrë që në valën e dytë të jemi sa më të përgatitur, sepse do të dimë si të reagojmë dhe ky është një element pozitiv. Një pjesë e njerëzve veç janë infektuar dhe ende nuk e dimë se sa për qind, mirëpo deri atëherë përmes testeve do ta dimë sa është përqindja e popullatës që është prekur. Në valën e dytë nuk do të ketë nevojë për një izolim të tillë sikurse herën e parë, por bashkë me koronavirusin do të kemi edhe një armik tjetër që është gripi sezonal, në vjeshtë dhe dimër”, ka treguar Raka.

Sipas tij, nëse krahasohet numri i rasteve të hospitalizuar dhe të vdekjeve, Kosova e ka menaxhuar përtej parashikimeve situatën me koronavirusin.

Raka ka folur edhe për kapacitetet e Kosovës që kanë munguar investime në shëndetësi që 20 vjet. Ai ka përmendur edhe mungesën e testeve që po përballet Kosova gjatë pandemisë. Sipas tij, beteja e parë me koronavirusin në Kosovë është fituar, mirëpo lufta ende.

“Nëse e krahasojmë numrin e raste të të infektuarve të shtrirë në klinikë dhe të vdekjeve, Kosova e ka menaxhuar përtej parashikimeve më mirë sesa që kemi menduar, nëse merren parasysh edhe kapacitetet që i ka Kosova dhe që 20 vjet nuk është investuar në shëndetësi. Secili shtet ka nevojë për teste dhe ka mungesë globale. Edhe Kosova ballafaqohet me mungesë të testeve përkundër kërkesave të shumta.

Nuk ka furnizim të mjaftueshëm me teste. Betejën e parë me koronavirusin në Kosovë e kemi fituar, mirëpo luftën ende. Prandaj, për ta fituar luftën, duhen të respektohen masat e parandalimit. Prandaj, secili qytetar mund ta respektojë distancën dhe mbajtjen e maskës. Nëse sillemi mirë atëherë do të kemi më pak raste”, ka shtuar Raka.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Prodhuesve të Vezëve në Kosovë pretendon se disa…